Pas 16 vitesh në Barcelona e ardhmja e Messit është më në dyshim se kurrë më parë. Debati me Eric Abidal edhe pse për momentin situata duket e qetësuar ka turbulluar jo pak argjentinasin.
Argjentinasi e ka një klauzolë në kontratën e tij me Barcelonën që do ta lejonte atë të largohej më 30 qershor të çdo viti edhe pa dëshirën e klubit, përkundër që kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2021.
Manchester City beson se mund të jetë favorit për ta arritur transferimin e Messit, nëse ky i fundit vendos të largohet nga Camp Nou, për shkak të lidhjes së tij të mirë me trajnerin e klubit anglez, Pep Guardiolën.
Messi e kishte kaluar periudhën e tij më të suksesshme në karrierë gjatë kohës sa Guardiola kishte qenë trajner i Barcelonës, kur katalonasit kishin thyer rekord duke i fituar gjashtë titujt e mundshëm brenda një sezoni.
Kampioni në fuqi i Premierligës është gjithashtu njëri ndër klubet e vetme në botë që mund ta përballojë pagën aktuale të Messit, që është rreth 60 milionë euro në vit.