Partizani fillon vitin 2020 me një humbje në Korçë, në një ndeshje që ka pasur gjithçka brenda. Skënderbeu ka triumfuar 3-2 në një sfidë të çmendur që kishte penallti, karton të kuq, autogol, penallti të humbur e një tjetër autogol, duke mbajtur gjithçka të hapur deri në shtesë.
Të kuqtë e nisën me një gol të shënuar me penallti nga Telushi por më pas nuk mbyllën ndeshjen dhe u ndëshkuan. Kartoni i kuq i Brojës i dha krahë vendasve që barazuan falë autogolit të Bitrit e më pas gjetën avantazhin në shtesë me Krasniqin.
Në pjesën e dytë të dy palët shpërdoruan para portës, sidomos Partizani që humbi penallti shumë të kontestuar me Telushin i cili dërgoi sferën jashtë.
Bregu shënoi një supergol e gjithçka dukej e mbyllur, por në shtesë gjithçka u vu në dyshim nga autogoli i Ditës, deri në vërshëllimën përfundimtare që i dha suksesin Skënderbeut dhe e afron me skuadrat e mesit të tabelës, ndërsa kampionët në fuqi humbasin mundësinë që të vënë në trysni ekipet që ka përpara në renditje.