Osvaldo rikthehet në fushën e blertë, pas 4 vitesh

Pothuajse 4 vite më parë vendosi të lërë futbollin për t’iu përkushtuar pasionit tjetër të tij muzikës ku formoi edhe një grup muzikor me të cilin zhvilloi edhe një tur koncertesh nëpër botë.

Megjithatë Daniel Osvaldo vendosi t’u rikthehet sërish fushave të blerta, pasi pranoi ofertën e Banfield në kampionatin argjentinas dhe dje debutoi në sfidën që skuadra e tij zhvilloi përballë River Plate.

Sulmuesi 34-vjeçar u aktivizua në minutën e 74-t të takimit dhe pak minuta para vërshëllimës finale “flirtoi” me një eurogol, pas një gjuajtjeje të bukur me të cilën tentoi të befasojë portierin e miqve Armani.

Ndeshja e fundit që kishte luajtur Osvaldo para këtij takimi datonte më 16 maj të 2016-ës me fanellën e Boca Juniors, ndërsa më herët sulmuesi ka veshur edhe fanellat e Interit, Romës, Juventusit, etj.


Shtuar 17.02.2020 19:26