Oferta për Depay dhe Aouar, përgjigjen e jep Juninho

Drejtori sportiv i Lyonit, Juninho, insiston se ende nuk kanë pranuar ndonjë ofertë për Houssem Aouar e as për objektivin e Barcelonës, Memphis Depay.

20-vjeçari është objektiv i Manchester Cityt dhe Paris-Saint-Germain, Arsenalit dhe Chelseat, derisa për 26-vjeçarin Depay u raportua se ka arritur marrëveshje me Barcelonën.

Por, Juninho tha se skuadra nga Ligue-1 ende nuk ka pranuar ndonjë ofertë zyrtare.

“Për momentin nuk kemi se çfarë të themi. Zyrtarisht ende nuk kemi pranuar oferta për Aouar dhe Memphis”, tha ai.

Depay, i cili është në vitin e fundit të kontratës me Lyonin, po kërkohet me ngulm nga Barcelona, por çmimi prej 30 milionë eurove po shihet si pengesë për mbylljen e operacionit.

“Ajo që unë kam kuptuar është se nëse Depay qëndron me ne do të jetë i lumtur dhe do të na ndihmojë të kemi një sezon të mirë”, përfundoi ish-mesfushori i Lyon.


Shtuar 16.09.2020 17:19