Në Itali e shohin të larguar nga Milani, flet Ibra: Kush mund ta parashikonte koronavirusin?

Zlatan Ibrahimoviç mund të ketë luajtur ndeshjet e tij të fundit me fanellën e Milanit, pasi nga Italia çdo ditë e më shumë vijnë sinjalet se sulmuesi nuk do të kthehet më te kuqezinjtë. Suedezi ka mbetur i zhgënjyer nga situata në klub pasi nuk e priste largimin e Boban dhe mendon se klubi po ecën në drejtim tjetër nga ai që i ishte premtuar.

Ndaj lamtumira e tij shihet si thuajse e sigurt. Por vetë Ibra, në një intervistë të dhënë në vendlindje, ku po kalon këtë periudhë të komplikuar për shkak të koronavirusit, nuk ka dashur të japë sinjale të mirëfillta mbi atë që do të bëjë, nëse do të vazhdojë te kuqezinjtë apo jo.

“Të shohim. Nuk di ende se çfarë dua, çdo ditë po ndodh diçka e re. Kush do ta kishte parashikuar koronavirusin? Duhet thjesht të provojmë t’i gëzohemi jetës. Kam një familje me të cilën të merrem dhe ata janë mirë”, ishin fjalët e suedezit, të cilat në Suedi janë interpretuar edhe si një sinjal i tërheqjes së mundshme nga futbolli i luajtur.


Shtuar 1.04.2020 20:05