Mund të duket çmenduri, por është realitet. Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Lincolnit do të luhet. Klubit shqiptar iu anulua ndeshja fillimisht, pasi kishin rezultuar 8 futbollistë të prekur nga COVID-19. Prishtina ka paraqitur argumentet e saj dhe UEFA ka vendosur që ndeshja të luhet më datë 21 gusht.
Ata nuk do të mund të udhëtojnë me skuadrën që kishin, por për diçka të tillë duhet të formojnë një ekip të ri. Të gjitha ekipet kosovare janë bërë bashkë dhe u kanë ofruar futbollistë Prishtinës për t’i huazuar.
“Lincoln – Prishtina, ndeshja do të zhvillohet. Pas argumentit të shpalosur të FC Prishtina, UEFA ka dhënë vendimin e saj që ndeshja duhet të zhvillohet.
Prishtina do të përfaqësohet me skuadër tjetër dhe me jo pjesëmarrës që ishin në Gjibraltar.
FC Prishtina publikisht falënderon skuadrat e Feronikelit, Llapit, Trepçës ’89, Flamurtarit, Ballkanit, Drenicës dhe Vushtrrisë që në mënyrë urgjente i kanë dal në ndihmë Prishtinës. Prishtina që nga pranimi në UEFA iu ka gëzuar çdo rezultati pozitiv të skuadrave tona në arenën ndërkombëtare, sepse suksesi në Evropë ndihmon të gjithë futbollin kosovar.
“Prishtina me përulje iu falënderon! Përndryshe, FC Prishtina po lufton që ndeshjen të shtyj për të shtunën më 22 gusht dhe jo të premten më 21 gusht siç kanë vendosur vendasit e Lincoln. FC Prishtina do të testojë të gjithë ekspeditën duke mos ia lënë asgjë rastit. Shpresojmë të na ecën fati dhe mos të kemi shqetësime më me të infektuar”, – shkruhet në njoftim.