“Na bashkohet një prej talenteve më të mëdhenj shqiptarë”, Lokomotiva prezanton Kallakun

Sherif Kallaku prezantohet zyrtarisht te Lokomotiva e Zagrebit. Klubi kroat publikoi mirëseardhjen e futbollistit shqiptar në një postim ku me krenari evidenton vlerat e blerjes së Kallakut pasi shkruan se një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit shqiptar i bashkohet Lokomotivës.

Klubi kroat nuk harron të nënvizojë edhe faktin se Kallaku ka mbajtur shiritin e kapitenit të Kombëtares Shqiptare për 21-vjeçarë, teksa sezonin që sapo u mbyll luajti plot 31 ndeshje duke shënuar edhe 14 gola në Kategorinë Superiore me Teutën.

Nuk kanë munguar në prezantim edhe fjalët e para të Sherif Kallakut, si një futbollist i Lokomotivës së Zagrebit, pasi është shprehur për faqen zyrtare të klubit se i njeh të gjithë djemtë shqiptarë te Lokomotiva, ndaj do ta ketë më të lehtë përshtatjen me ambientin e ri.

Kallaku shton se i ka ndjekur me vëmendje ndeshjet e Lokomotivës dhe synon të jetë fitimtar në sezonin e ri me fanellën e klubit kroat. Me transferimin e Kallakut, Teuta përfitoi 150 mijë euro në të holla, duke ruajtur edhe 20 përqind të kartonit të mesfushorit.

Vetë lojtari ka nënshkruar një kontratë 4-vjeçare, duke synuar që në Kroaci të bëjë një tjetër hap gjigant, duke fituar nëpërmjet paraqitjeve të tij te Lokomotiva transferimin në një klub edhe më të rëndësishëm europian në të ardhmen.


Shtuar 9.08.2020 14:50