Vedat Muriqi i cili karrierën e tij e nisi në vendlindjen e tij me Lirinë e Prizrenit, sot konsiderohet një nga pesë lojtarët më të vlefshëm të Superligës turke.
26 vjeçari ishte duke shkuar drejt kompletimit të një sezoni fantastik në Turqi, para se ai të pezullohej shkaku i koronavirusit.
Në pjesën e parë të sezonit, Muriqi ishte lojtari më i mirë te Fenerbahce, me 15 gola të shënuara dhe pesë asistime të kompletuara.
Djaloshi nga Prizreni, në Transfermarkt vlen 9.5 milionë euro, duke qenë futbollisti i pestë më më vlerë në Superligën e Turqisë.
Para tij renditen, Edin Visca i Basaksehirit dhe Lemina i Galatasarayt (secili 10.5 mln euro), Abdulkadir Omur i Trabzonsporit (12.5 mln euro) gjersa më i vlefshmi është sulmuesi norvegjez, Alexander Sorloth i Trabzonsporit (13 milionë euro).
Muriqi gjatë kësaj vere mund të largohet nga Fenerbahce, ku po kërkohet nga Lazio në Serie A.