Ndërkohë që sulmuesi polak Arkadiuz Milik vijon të stërvitet i vetëm në qendrën përgatitore të Napolit, menaxheri i tij ka mbërritur në zyrat e Romën mëngjesin e sotëm për të diskutuar detajet e fundit të transferimit në kryeqytet të sulmuesit polak.
Marrëveshja mes Napolit dhe Romës është arritur prej ditës, me kryeqytetasit që do të marrin Milik në huazim për 3 milionë euro, me detyrim blerjeje për 22 të tjera, ndërsa në total kartoni llogaritet t’u kushtojnë rreth 25 milionë euro.
Prej ditësh pritej vetëm miratimi i sulmuesit polak që së fundi duket se ka vendosur të transferohet në kryeqytet, ku do të firmosë për 5 sezone me një pagë prej 4.8 milionë eurosh në vit.
Pas zyrtarizimit të kësaj marrëveshjeje, pritet që të marrë udhë një tjetër transferim, ai i kapitenit të Romës Edin Dzeko në skuadrën e Juventusit. Boshnjaku është prioritet i trajnerit Andrea Pirlo, por Roma e pati bërë të qartë se do të heqë dorë vetëm pasi të gjejë zëvendësuesin.
Kështu Dzeko pritet të luajë të shtunën në mbrëmje ndeshjen e fundit me fanellën e Romës dhe më pas në fillim të javës të marrë rrugën për në Torino, ku do të formojë treshen sulmuese me Ronaldon e Kulusevskin.