“Më kërcënuan edhe me vdekje”, Portieri tregon “ferrin” e finales së Champions League

Loris Karius ishte protagonisti i shëmtuar i finales së Champions-it në vitin 2018. Portieri gjerman regjistroi mbrëmjen më të errët të karrierës së tij, në atë humbje të Liverpool kundër Real Madrid. Dy vite më vonë, tashmë si lojtar i Besiktas në Turqi, ai ka dhënë një intervistë për “Sport Bild”. Aty flet përsëri për atë që ndjeu dhe për tronditjen e famshme që pësoi, pas një përplasjeje me Sergio Ramos.

Reagimet pas finales – “Unë kam marrë disa kërcënime me vdekje. Sidoqoftë, nuk i kam marrë seriozisht. Këta janë njerëz, që postojnë komente në mënyrë anonime, nuk e tregojnë fytyrën në profilet e tyre. Unë shqetësohem për kërcënimet e njerëzve që më shohin në sy, që guxojnë ta hapin gojën publikisht”.

Nata e ndeshjes kundër Real Madrid – “Në retrospektivë, unë duhej ta kisha raportuar atë që ndodhi shumë më shpejt. Kam pasur një tronditje, pas goditjes nga Sergio Ramos, e cila kufizoi pamjen time. Kjo u konfirmua pas një hetimi nga specialistë të trurit. Isha i shkatërruar, nuk doja të dilja në publik. Pati shumë reagime dhe fyerje të zemëruara, shpeshherë shumë të ulta. Unë kurrë nuk e përdora atë goditje që mora nga Ramos si justifikim. Por, kur njerëzit qeshin me dikë, që koka i është dëmtuar rëndë, i kam të vështirë t’i kuptoj”.

Rrjetet sociale – “Nëse i lexoja të gjitha postimet, nuk mund të flija dy ditë. Ishte çmenduri ajo që njerëzit thonin nga anonimati. E kam fjalën për fyerjet serioze, komentet diskriminuese dhe raciste që më dërgonin në rrjetet sociale. Nëse ekzistojnë fyerje personale, ose kërcënime me vdekje, kufiri është shkelur”.

E ardhmja – “Nuk po flas për spekulime. Fakti është se kam një kontratë me Liverpool deri në vitin 2022. Tani për tani jam i përqendruar vetëm te sezoni me Besiktas. Është shumë herët për të thënë diçka rreth merkatos së verës. Sidomos tani, që askush nuk e di saktësisht çfarë po ndodh prej koronavirus”.

Kontaktet me Liverpool – “Kryesisht i shkruaj trajnerit të portierëve, John Achterberg. Pothuajse çdo javë flas me të, ai është pika e parë e kontaktit. Por, herë pas here flas edhe me Jürgen Klopp. Jam në kontakt me të gjithë”.


Shtuar 15.04.2020 14:58