Mblidhet Liga e Serisë A, ka një datë të re për rifillimin e kampionatit

Seria A është ndërprerë për të paktën deri më 3 prill, me dekret të qeverisë italiane, ndërsa të 20 klubet pjesë e Ligës kryesore italiane, zhvilluan sot një video-konferencë, ku diskutuan për problematikat që po kalon futbolli në vend.

Kështu të 20 klubet vendosën unanimisht 9 majin si datën e fundit dhe më të mundshmen për të rinisur kampionatin, duke konfirmuar tezën se do të jetë e pamundur që të rivendoset normaliteti deri më 3 prill.

Paraprakisht duhet pritur edhe çfarë do të vendoset në mbledhjen e nesërme të UEFA-s, por klubet kanë diskutuar për përfshirjen e një rregulli të jashtëzakonshëm, që zgjat automatikisht kontratat e lojtarëve me klubet deri më 15 korrik, me qëllim që të mund të mbyllet sezoni normalisht.

Gjithashtu edhe sa u përket të drejtave televizive, pritet që me transmetuesit të rimodelohet kontrata në lidhje me datat dhe afatet e zhvillimit të ndeshjeve, për të lënë në fuqi të gjithë shumën e paracaktuar më herët dhe për të mos cënuar të ardhurat e klubeve.

/SuperSport/


Shtuar 16.03.2020 16:59