Linja ajrore e pasigurtë, Bayerni do të udhëtojë me me autobus për në Berlin

Të dielën në orën 18:00, Bayern Munchen do të ndeshet në Berlin përballë formacionit të Unionit.

Kampionët në fuqi të Bundesligës, duke parë se ende linjat ajrore nuk konsiderohen të sigurta për çështjet higjieno-sanitare nga frika e infektimit, kanë planifikuar të udhëtojnë për në kryeqytetin gjerman me autobus.

Në një situatë të pazakontë, klubi ka menduar të sakrifikojë pak për t’u siguruar lojtarëve kushtet maksimale, edhe pse ndryshe nga e kaluara, do të mungojë komoditeti i avionit.

Distanca prej afro 500 kilometrash mund të jetë e gjatë për lojtarët, të cilët do të nisen nga Mynihu të premten në drekë dhe do të mbërrijnë në Berlin vetëm pak përpara mesnatës.

Por skuadra e drejtuar nga trajneri Hansi Flik do të ketë mundësinë të qetësohet për të paktën 24 orë të plota, përpara se të dielën të zbresë në fushë për të luajtur takimin e vlefshëm për javën e 26-të.

E përditshmja gjermane “Bild” zbulon gjithashtu se hoteli në të cilin do të qëndrojnë lojtarët do të jetë i gjithi i rezervuar vetëm për skuadrën kampione (staf teknik, futbollistë, drejtues si dhe punonjës të nevojshëm për pajisje të ndryshme).

Bayerni në hotelin e zgjedhur do të akomodohet për 3 net (e premte, e shtunë dhe e diel), një qëndrim që do t’i kushtojë klubit rreth 1500 euro për lojtar (500 euro nata për lojtar), duke përfshirë këtu edhe 5 vaktet që skuadra do të konsumojë.

Kthimi për në Mynih i Bayernit do të bëhet ditën e hënë.


Shtuar 13.05.2020 09:31