Eksperienca e Mauro Icardit te Paris Saint Germain startoi në mënyrën më të mirë të mundshme, me bomberin argjentinas që po shënonte rregullisht dhe çështja e blerjes përfundimtare të kartonit të tij nga Interi, dukej thjesht formalitet.
Megjithatë kohët e fundit gjithçka është thyer, ndërsa e përditshmja franceze L’Equipe është munduar të hedhë dritë mbi problemet që po has Icardi te klubi kryeqytetas dhe që duket se kanë thyer raportet mes palëve.
Kështu marrëdhëniet e sulmuesit argjentinas me trajnerin Thomas Tuchel nuk janë më aq të mira dhe kjo konfirmohet nga disa ndeshje radhazi në pankinë për ish kapitenin e Interit, ndërsa situate u rëndua edhe pas festës që Icardi bëri me Cavanin e Di Marian pas humbjes në Dortmund, çka nervozoi edhe Leonardon.
Megjithatë problemi i vërtetë i Icardit duket se janë marrëdhëniet me dy yjet e skuadrës pariziene, Neymar dhe Mbappe, të cilët dialogojnë shumë me njëri-tjetrin në fushën e lojës dhe shërbejnë shumë pak për argjentinasin.
Ky i fundit ka reaguar dhe ka kërkuar llogari ndaj shokëve të skuadrës, ndërsa si kundërpërgjigje, ka ulur ndjeshëm impenjimin në fushë dhe tani vjen shumë rrallë në gjysmëfushën e skuadrës së tij për të ndihmuar në fazën defensive.
Të gjitha këto vijnë në një moment kur në mediat italiane kanë filluar të qarkullojnë sërish lajmet për një interes të Juventusit për sulmuesin argjentinas, me Paraticin që mund të paguajë 75 milionë euro në verë për kartonin e tij.