Lazios mund t’i përsëritet makthi i përjetuar 105 vjet më parë

Ministri i sportit i Italisë, Vincenzo Spadafora ka vënë në dyshim vazhdimin e stinorit në Serie A, duke lënë Lazion në frikë se mund t’i përsëritet historia e hidhur dhe t’i mohohet për herë të dytë titulli i Italisë.

Por, me presidentin Claudio Lotito si forcë shtytëse, klubi roman është i vendosur në vazhdimin e ligës përkundër pandemisë së koronavirusit.

Lazio është në luftë për titull të Italisë, por po frikësohet se mund t’i përsëritet makthi që e përjetoi para 105 vjetëve, shkruan agjencia AFP.

Lazios i ishte mohuar titulli herën e kaluar që u pezullua futbolli në Itali, pas futjes së vendit në Luftën e Parë Botërore në maj të vitit 1915.

Në mënyrë kundërthënëse Genoa u shpall kampione atëbotë. Lazio ende insiston se nuk është dashur të shpallej vetëm një kampion atëbotë.

Këtë stinor Lazio është në vendin e dytë në Serie A, vetëm një pikë prapa liderit Juventusit. Kampionati është pezulluar më 10 mars.

Lazio po e ndjek titullin e tretë të Italisë në historinë 120-vjeçare të klubit, pas titujve që i fitoi në vitin 1974 dhe në vitin 2000. Stinori 1974 po ashtu ishte rrezikuar nga epidemia e kolerës.

Nuk është befasi që Lazio po insiston të vazhdojë stinori përkundër rrezikut nga koronavirusi, që ka shkaktuar mbi 27 mijë vdekje në Itali.

Lotito insiston se është në interesin e futbollit që të evitohen “dëmet e pariparueshme” dhe rrezikun e falimentimit të klubeve në gjitha ligat.

“Nëse ndalojmë, atëherë më shkon përshtati. Do të marrim pjesë në Ligën e Kampionëve dhe kursej pagat për katër muaj”, ka thënë Lotito 62-vjeçar para takimit të së premtes të asamblesë së përgjithshme të Serie A, ku do të mund të vendoset fati i kampionatit.

Klubi i drejtuar nga trajneri Simone Inzaghi nuk ka pësuar humbje në ligë që nga shtatori i vitit të kaluar. E mposhti Juventusin dy herë në dhjetor me rezultatin 3:1, përfshirë edhe në ndeshjen për Superkupën e Italisë.

Pavarësisht se a vazhdon stinori apo jo, klubi roman e ka të sigurt se do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve.

Por, është shpresuar më tepër. Synimi ka qenë titulli dhe ndalja e dominimit të Juventusit, që është duke shkuar drejt titullit të nëntë rresht.

Interi është në vend të tretë, me tetë pikë disavantazh ndaj Lazios, ndërsa Atalanta është 14 pikë larg klubit roman, por dy klubet kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar.

Vendosmëria e Lotitos ka shkaktuar zemërim te të tjerët, ku kreu i Juventusit, Andrea Agnelli, i kishte thënë gjatë një bisede mes tyre: “Tash je bërë ekspert i virologjisë!”

Biznesmeni Lotito, që ka në pronë dy kompani pastrimi që janë angazhuar nga spitalet në Romë ku pacientët me COVID-19 po trajtohen, po ashtu ka përmendur rëndësinë e madhe sociale që ka futbolli.

Kur ai nuk është duke lobuar për rikthimin në fushë, këtë e bëjnë dy bashkëpuntorët e tij m të ngushtë zëdhënësi i klubit Arturo Diaconale dhe drejtori sportiv Igli Tare.

“Ne duhet të respektojmë të vdekurit dhe tifozët, por edhe nëse po jetojmë në një film të frikshëm, kampionati duhet të vazhdojë. Nuk do të ishte korrekte të anulohej stinori”, ka thënë Tare.

Diaconale ka kritikuar ata që po kundërshtojnë kthimin, ndërsa edhe historinë e Scudttos të vitit 1915.

Mirëpo, Lotito mbetet në favor që të luhet një ndeshje plejofi me Juventusin në rast se vendoset të mos vazhdohet stinori.

Golashënuesi më i mirë i Serie A këtë stinor, Ciro Immobile ka thënë se lojtarët po ndjehen të frustruar dhe diskriminuar, që nuk po lejohen të vazhdojnë të stërvitin, ndërsa sportistët në sportet individuale po lejohen të bëjnë këtë.

“Nuk dua të kthehem në fushë vetëm se Lazio është në vend të dytë në tabelë dhe unë jam në krye të listës së golashënuesve. Por, dua të kthehem pasi më mungon ajo që dua, më mungon puna ime. Nuk dua të shkaktoj bujë, thjeshtë po kërkoj qartësi si qytetar i Italisë. Ne duam t’i kthehemi punës sonë”, ka thënë Immobile.


Shtuar 30.04.2020 14:36