Pretendentja për titull në Serie A, Lazio, do të ketë udhëtim në të panjohurën, kur më në fund do të rifillojë edicionin me vizitën te Atalanta e vendit të katërt, të enjten. Kështu të paktën ka thënë trajneri Simone Inzaghi.
Lazio e vendit të dytë, është katër pikë prapa Juventusit, ndërsa ka një ndeshje më pak të luajtur. Lazio ishte në seri prej 21 ndeshjeve pa humbje kur Serie A u pezulluar në mars. Inzaghi nuk e di se si ekipi do të reagoj pas pushimit të gjatë.
“Ne kishim shumë besim si ekip, por më pas është dashur të ndalemi për kohë të gjatë. Do të jetë fund i pazakontë i kampionatit dhe askush vërtetë nuk e di se çka na pret. Është diçka e re dhe ne duhet të jemi të gatshëm për këtë. Do të ketë telashe që nuk do të ndikojnë vetëm te Lazio, por te të gjitha skuadrat”, ka thënë Inzaghi të martën.
Ndeshja vë përballë dy skuadrat më efikase të Serie A. Atalanta ka shënuar 74 gola deri më tani, ndërsa Lazio ka 60 gola.
Juventusi dhe Interi i vendit të tretë kanë rifilluar edicionin me ndeshje të Kupës së Italisë, por Lazio ishte eliminuar më herët. Atalanta po ashtu ka luajtur tashmë, duke mposhtur Sassuolon në një ndeshje të mbetur, të dielën.
“Për fat të keq ne nuk kemi luajtur më shumë se një miqësore. Tjerat ekipe kishin fat që përmes Kupës së Italisë të kthehen në ritmin e ndeshjeve”, ka shtuar Inzaghi.
Ai po synon të udhëheq Lazion drejt titullit të parë në 20 vjetët e fundit.
