Lazio arrin marrëveshjen me Alberton, spanjolli “blindohet” deri në 2025

Kampionati Italian i futbollit do të qëndrojë në “karantinë” deri në një vendim të dytë, megjithatë ekipet e Serisë A vazhdojnë të punojnë për të ardhmen, në veçanti Lazio, që në këto orë ka gjetur më në fund marrveshjen për rinovimin e kontratës së Luis Albertos.

Sikurse njofton Sky Sports, palët kanë rënë dakord për një zgjatje të bashkëpunimit deri në vitin 2025, me pagën e futbollistit që do të dyfishohet, duke kapërcyer 3 milionë euro në vit, plus bonuset. Në këtë nivel page janë edhe futbollistët e tjerë kryesorë bardheklatër, Immobile e Milinkovic-Savic.

Nuk do të ketë klauzolë largimi në kontratën e spanjollit, që rezulton të jetë një ndër më të mirët e skuadrës së drejtuar nga Simome Inzaghi në këtë kampionat të pabesueshëm që po zhvillon. Mungon vetëm firma, por hedhja e të zezës mbi të bardhe do të ndodhë shumë shpejt, sapo skuadra të zbresë në fushë për të mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë sezon që deri tani ka qenë përrallor.


Shtuar 16.03.2020 10:25