Lampard nuk pranon të fillojë kampionatin në datën e caktuar

Frank Lampard mendon se data për fillimin e edicionit të ardhshëm në Premier League është krejtësisht e papërshtatshme për klubin e Chelsea-t. Sezoni i ri do të startojë zyrtarisht më datë 29 gusht, në Wembley, me Superkupën apo takimin e përvitshëm Community Shield, sidoqoftë Chelsea e humbi të drejtën për të luajtur në një takim të tillë, pasi blutë u mundën në derbin londinez në finalen e sivjetshme në FA Cup, kështu që në fund të gushtit në atë duel do të përballet Liverpooli me Arsenalin.

Drejtuesit e Premiershipit kanë përcaktuar 12 shtatorin si ditën e fillimit të kampionatit anglez dhe edicioni i ardhshëm, që do të jetë i 29-ti në Premier League, është programuar në kalendar për t’u mbyllur më 23 maj. Paraprakisht, krerët e futbollit anglez kishin përcaktuar datën 8 gusht për të nisur edicionin e ri të kampionatit, megjithatë, pas pandemisë së Koronavirusit, gjithçka u shty për 12 shtator. Frank Lampard mendon se një muaj e gjysmë kohë nga njëri edicion te tjetri është periudhë e pamjaftueshme për të përgatitur siç duhet ekipin për sezonin e ri. Mbi të gjitha Frenki theksoi se data e përcaktuar pranë mesit të muajit shtator, përveçse tepër e shpejtë si kohë, është gjithashtu edhe krejtësisht e papërshtatshme, duke patur parasysh kalendarin e bluve.

Data e 12 shtatorit, për hir të së vërtetës, u vendos që muajin e kaluar, megjithatë, siç dihet, Chelsea është i impenjuar në Champions League. Klubit të mirënjohur anglez do t’i nevojitet një mrekulli për të përmbysur më datë 8 gusht, në “Allianz Arena”, në takimin e kthimit të fazës 1/8, disavantazhin 3-0 ndaj vendasve të Bajernit, një mision i pamundur, kuptohet, duke marrë parasysh rrethanat, shplodhjen e skuadrës së drejtuar nga trajneri Hansi Flick dhe diferencën e madhe ndërmjet dy klubeve, për më tepër ekipi bavarez ka një llogari të hapur me blutë, për finalen e humbur 8 vjet më parë brenda në Mynih, pas gjuajtjes së 11-metërshave.

Pra ndeshja e kthimit do të luhet pikërisht të shtunën e ardhshme, megjithatë është e qartë që pas duelit me Bajernin ish-kapiteni legjendar i bluve do të ketë vetëm 35 ditë kohë për të përgatitur skuadrën për sezonin e ardhshëm. 42-vjeçari londinez shpjegoi se futbollistët duhet të pushojnë, në mënyrë që të përballojnë denjësisht nivelin e lartë që ofron Premier League.

Krerët e kampionatit bashkë me drejtuesit e ekipeve që marrin pjesë në elitën e futbollit anglez ranë dakord për të mundësuar një periudhë shkëputjeje të paktën 30-ditore, për Chelsea-n apo qoftë edhe çdo skuadër tjetër nga Ishulli, që vazhdon aventurën në pjesën përmbyllëse të sezonit në Kupat e Evropës.

Në Champions, përveç Chelsea-t, merr pjesë edhe Manchester City dhe finalja e sivjetshme e këtij aktiviteti do të mbahet në Lisbonë, në stadiumin “da Luz”, më datë 23 gusht, ndërsa në Europa League nga Anglia vijojnë rrugëtimin e tyre klube si Manchester United dhe Wolverhampton Wanderers.

Si pasojë e ngjeshjes së kalendarit, trajneri Lampard humbi pikërisht në prag të finales së Kupës së Mbretëreshës për shkak dëmtimi dy lojtarë tepër të rëndësishëm si Willian dhe Ruben Loftus-Cheek, ndërsa gjatë takimit të së shtunës së kaluar, në Wembley, u shtrëngua për të lënë ndeshjen përgjysmë edhe vetë kapiteni Azpilicueta bashkë me 21-vjeçarin amerikan Christian Pulisic.


Shtuar 3.08.2020 14:53