Kosova niset drejt Shkupit, pritje madhështore në pikën kufitare (FOTO LAJM)

Kombëtarja e Kosovës ka udhëtuar drejt Shkupit ku të enjten e zhvillon ndeshjen kryesore të saj kundër Maqedonisë së Veriut në kuadër të play-off të gjysmëfinales së Ligës së Kombeve për kualifikim në Kampionatin Evropian.

Dardanët drejt qytetit të Shkupit u nisen sot nga ora 10:30 nga hoteli ku po qëndrojnë në kryeqytet, derisa rrugën e morën me shumë mungesa në përbërje por shumë të motivuar dhe optimist për fitore.

Kosova do ta mbajë sonte një stërvitje në stadiumin “Todor Proeski”, aty ku nesër zhvillohet ndeshja nga ora 20:45.

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, nuk mund të llogarisë në lojtarët kyçë si Vedat Muriqi, Milot Rashica, kapiteni Amir Rrahmani, Hekuran Kryeziu dhe Idriz Voca.

Futbollistët tanë pritet të mbërrijnë pas orës 13 në kryeqytetin maqedon.

Ndryshe, në pikën kufitare të Hanit të Elezit tifozët dardanë organizuan përcjellje për yjet tanë për ndeshjen më të rëndësishme pas katër viteve formimi.


Shtuar 7.10.2020 10:09