Koronavirusi i mori jetën ish-presidentit, ky është reagimi i Real Madridit

Real Madridi e ka nderuar ish-presidentin e vet, Lorenzo Sanz, i cili vdiq të shtunën pas infektimit me koronavirus, duke thënë se Sanz ia kishte shtuar historinë dhe trashëgiminë klubit.

Sanz ishte president i Madridit nga viti 1995 deri më 2002, në një periudhë gjatë të cilës klubi i fitoi dy trofe në Ligën e Kampionëve.

Ai vdiq të shtunën në moshën 76-vjeçare, pasi ishte prekur nga koronavirusi Covid-19.

“Real Madridi, presidenti i klubit dhe bordi i drejtorëve dëshirojnë të shprehin keqardhje të thellë për ndarjen nga jeta të Lorenzo Sanz, i cili ishte president i Real Madridit nga viti 1995 deri më 2000”, shkruhet në reagimin e Real Madridit.

“Gjatë presidencës së Lorenzo Sanz, Real Madridi vazhdoi të shkruaj historinë dhe trashëgiminë e klubit. Ai ishte president i klubit kur, pas 32 vjetëve pritje, klubi e fitoi titullin e shtatë dhe të shumëpritur në Ligën e Kampionëve më 1998 në Amsterdam”, thuhet tutje në njoftim.


Shtuar 22.03.2020 08:24