Ish-futbollisti i Kombëtares transferohet në Rumani

Rreth 6 muaj pushim pas prishjes së bashkëpunimit me Teutën, Armando Vajushi ka gjetur një skuadër të re.

Sulmuesi shkodran nuk do të rikthehet në Itali për të mbajtur sërish veshur fanellën e Avellinos, por do të transferohet në ligën e dytë të futbollit rumun te një skuadër me emër, që në fakt në vitet e fundit ka qenë në vështirësi për shkak të problemeve me financat.

Siç e kanë konfirmuar edhe vetë drejtuesit e këtij klubi, Armando Vajushi ka arritur akordin dhe do të firmosë me Petrolul Ploiesti, që aktualisht pozicionohet në vendin e 8-të të ligës së dytë të futbollit rumun, por synon ngjitjen në elitë.

Petrolul Ploiesti është një skuadër që ka luajtur edhe në Kupat e Europës në dekadën e fundit madje është ndeshur edhe Flamurtarin në turin dytë kualifikues të Europa League në vitin 2014, duke e eliminuar lehtësisht skuadrën vlonjate me rezultat të përgjithshëm 5-1.

Pas eksperiencave në Shqipëri, Bullgari dhe Itali, Rumania është vendi i 4-t ku Vajushi do të provojë veten si futbollist.


Shtuar 8.01.2020 15:10