I është ofruar Barcelonës, pas lajmit reagojnë përfaqësuesit e Ronaldos

Përfaqësuesit e Cristiano Ronaldos i kanë përgënjeshtruar spekulimet për largimin e mundshëm të tij nga Juventusi.

Gazetari spanjoll, Guillem Balague, ka thënë për BBC Radio 5 live Sport se Zonja e Vjetër është përpjekur që të gjejë një blerës për portugezin, në mënyrë që të shpëtojë nga paga e tij e madhe (31 milionë euro në sezon).

Sipas tij, agjenti i superyllit, Jorge Mendes, ua ka ofruar 35-vjeçarin shumë klubeve, madje edhe Barcelonës.

Mirëpo, përmes një komunikate drejtuar gazetës spanjolle, AS, përfaqësuesit e lojtarit kanë thënë se të gjitha thashethemet për largimin e CR7 nga Bianconerët “janë gënjeshtra”.

Sipas tyre, ai është i lumtur në Torino dhe planifikon të qëndrojë te bardhezinjtë deri në fund të kontratës aktuale.

Ronaldo shënoi 31 gola në Serie A në sezonin që lamë pas, ndërsa kontrata e tij është valide deri në qershor të vitit 2022.


Shtuar 13.08.2020 18:59