Sensacioni norvegjez, Erling Haaland ka thënë se ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo është inspirim për të.
Haaland ka theksuar se është pak i brengosur për ngacmimin që ia bënë lojtarët e PSG-së lidhur me festimin në formë të meditimit.
Haaland ka shpërthyer këtë edicion, ndërsa flitet për një kalim të shpejtë të tij nga Borussia Dortmundi te Real Madridi.
19-vjeçari ka shënuar 28 gola për Salzburgun para se t’i bashkohej Dortmundit në janar, ku ka shënuar 12 gola në 11 ndeshjet e luajtura para ndërprerjes së edicionit për shkak të pandemisë Covid – 19.
Haaland ka thënë se Ronaldo është figurë inspiruese për të.
“Ju mund të shihni në fytyrën e Ronaldos se ‘sot unë jam njeriu’ dhe ‘sot unë do të shënojë gola’. Këtë edhe e ka bërë ai”, ka thënë Haaland për ESPN. Ai ka treguar se ka shikuar Ronaldon derisa është rritur.
“Më pëlqejnë më të mirët për atë se si janë të përkushtuar dhe të uritur për sukses, të jenë njerëz të momentit”.
Haaland është i kënaqur me fillimin e karrierës te Dortmundi. Ka thënë se ka shijuar shumë kohën te skuadra në Gjermani. Ai ndien se po përmirësohet çdo ditë te Dortmundi.
Për talljen që ia bënë lojtarët e PSG-së me festimin me meditim, Haaland ka thënë: “Mendoj se më kanë ndihmuar shumë për t’i treguar botës se meditimi është i rëndësishëm. Jam falënderues që më kanë ndihmuar për këtë”.