FSHF-ja merr vendim edhe për Kategorinë e Parë

Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar ditën e sotme në selinë e re një takim me presidentët e klubeve të Kategorisë së Parë, me të dyja grupet përkatëse ku u diskutua mbi rifillimin e garës për këtë ligë.

Kjo iniciativë e FSHF-së u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, i cili i sqaroi të pranishmit me komunikimet e deritanishme me përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe detaje në lidhje me protokollin që do të përdoret.

Drejtuesit e klubeve morën përsipër zbatimin e tij në praktikë. Në takim mori pjesë edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Abdyl Kuriu.

Gjatë takimit u shpjegua dhe kalendari që duhet të ndiqet ku dhe u dakortësua që kampionati për këtë kategori të rifillojë në datën 7 qershor 2020.

Ky takim erdhi një ditë pasi Federata e Futbollit dhe presidentët e Kategorisë Superiore ranë dakord që gara e tyre të rifillojë me 3 qershor.


Shtuar 14.05.2020 12:40