Franca e vendos, pas Deschamps në stolin e kombëtares do të ulet Zinedin Zidane

Franca i ka vënë syrin Zinedine Zidane për të zëvendësuar Didier Deshamps, pasi trajneri i kampionëve të botës të largohet.

E konfirmon vetë presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Noel Le Graet.

Vetë Deshamps e ka përkrahur që ish-shoku i tij i skuadrës një ditë të marrë timonin e kombëtares, diçka që e dëshiron e gjithë Franca dhe mbetet gjithashtu një objektiv i presidentit të FFF-së.

“Ditën që Didier vendos të largohet apo kontrata e tij të mos rinovohet, nëse Zidane do të jetë i disponueshëm në atë periudhë, ai do të jetë kandidati për këtë rol”, tha Le Graet.

Kjo mundësi mund të vijë pas dy vitesh, me pozicionin e Deshamps që pas Kupës së Botës mbetet i pasigurt.

“Kemi Botërorin e Katarit. Didier do të jetë atje dhe ndoshta më pas nuk e di”, shtoi presidenti i federatës.

Deshamps dhe Zidane fituan Kupën e Botës si lojtarë në Francë 1998, përpara se ish-trajneri i Juventusit të udhëhiqte vendin e tij drejt majës së botës në 2018-ën në Rusi.

Zizu ndërkohë shkëlqente në të njëjtin rol në stolin e Realit, ku ai fitoi 3 Liga Kampionesh radhazi gjatë aventurës së parë në “Santiago Bernabeu”.


Shtuar 24.01.2020 13:48