Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Italian (CONI), Xhovani Malago ka kërkuar ndërprerjen e Serisë A, duke theksuar se duhet marrë një vendim i njëjtë për të gjitha kampionet në Itali.
Për Malagon, i cili nuk është i pari që kërkon ndërprerjen duke qenë se dhe Presidenti i Shoqatës së Futbollistëve Italianë Damiano Tomasi dhe Ministri i Sportit Vinçenzo Spadafora kanë të njëjtin mendim, gjëja më e rëndësishme është shëndeti.
“Shëndeti vjen i pari. Disa kampionate vazhdojnë dhe disa të tjera jo. Kjo nuk është një gjë e mirë. Duhet një vendim i njëjtë për të gjithë. Do të thërras në një takim të gjithë presidentët federalë të skuadrave në mënyrë që të kemi një qëndrim të përbashkët.
Ndalimi i kampionatit italian? Kjo gjë varet nga Liga e Serisë A, ama nuk është vendimmarrësi kryesor duke qenë se Liga është në varësi të Federatës. Federata mund të vendosë të ecim para apo të ndalojmë, por të gjithë duhet të ndjekim të njëjtën linjë,” deklaroi Malago.