Fitorja ndaj Metz mund ti kushtojë shumë PSG-së, mbrojtësi rrezikon një mungesë të gjatë

Paris Saint Germain gjeti fitoren e parë në kampionat vetëm në ndeshjen e tretë sezonale, teksa mposhti mbrëmjen e djeshme Metzin me rezultatin minimal 1-0, por ky sukses ishte me kosto të lartë për trajnerin Tuchel.

Kjo pasi mbrojtësi i kryeqytetasve Diallo u ndëshkua dy herë me karton të verdhë dhe përveçse la skuadrën me 10 futbollistë përreth 30 minuta, nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit për sfidën e radhës të Ligue 1, ku do të mungojnë edhe të pezulluarit e tjerë Neymar, Kurzawa dhe Paredes.

Por lajme të këqija vijnë edhe nga mbrojtësi anësor Juan Bernat, i cili doli i dëmtuar rreth 30 minuta para fundit dhe sipas informacioneve të para që vijnë nga Parisi, bëhet fjalë për këputje të ligamentit të gjurit.

Nëse gjithçka do të konfirmohet nga analizat mjekësore të ditës së sotme, atëherë mbrojtësi spanjoll do të detyrohet t’i nënshtrohet një operacioni që do ta mbajë larg fushave të lojës për të paktën 6 muaj.

Pikërisht për këtë arsye trajneri Tuchel mësohet se ka telefonuar drejtorin sportiv të skuadrës Leonardo dhe i ka kërkuar afrimin në mënyrë sa më të shpejtë, të një tjetër futbollisti anësor, pasi nuk dëshiron të mbetet i zbuluar në atë pozicion për muaj të tërë.


Shtuar 17.09.2020 12:51