FIFA jep “OK” për rinovimin me lojtarët që u skadon kontrata më 30 qershor

Federatat dhe Ligat Europiane të futbollit kanë nisur përgatitjet për të çuar deri në fund sezonin futbollistik 2019-2020, pjesa e mbetur e të cilit pritet të zhvillohet gjatë muajve të verës, ndërsa një problem i ngritur nga klubet ka qenë edhe ai në lidhje me lojtarët të cilëve u skadon kontrata më 30 qershor.

Megjithatë FIFA ka ofruar zgjidhje për rastin në fjalë, pasi ka dhënë miratimin që klubet dhe lojtarët të mund të nënshkruajnë kontrata për të vijuar edhe përtej kësaj date bashkë, duke lënë tashmë “topin” në duar të këtyre të fundit.

“Ne kemi dhënë miratimin tonë për zgjatjen e kontratave të paktën deri sa të përfundojnë ndeshjet e vlefshme për sezonin 2019-2020, pra me një apo dy muaj. Tani mbetet në duar të klubeve dhe lojtarëve që të arrijnë akordin për këtë çështje”, deklaroi zv. Presidenti i FIFA-s, Vincent Montagliani.

Në pamje të parë ky propozim duket sikur zgjidh problemin, por tani klubeve do t’u duhet të negociojnë me të gjithë futbollistët rast pas rasti, për të arritur një akord për zgjatjen e kontratës për disa muaj më tepër, gjë që pritet të mos jetë fort e lehtë.

Pikërisht për të shmangur negociata të tilla, klubet kërkuan një vendim detyrues, që do të zgjaste automatikisht kontratat e këtyre lojtarëve deri në përfundim të sezonit, me të njëjtat kushte si ato deri më 30 qershor.


Shtuar 21.04.2020 08:48