Dy ditë nën arrest në Mikonos, lirohet mbrojtësi i Man.United

Lirohet me kusht qendërmbrojtësi i Manchester United, Harry Maguire, pas incidentit të ndodhur në Mykonos, që i kushtoi futbollistit të përfaqësueses angleze edhe mbajtjen për dy net në gjendje arresti në ishullin e famshëm grek. Rrethanat mbeten ende shumë të paqarta, megjithatë kapiteni i “djajve të kuq” për momentin është lënë i lirë për t’u kthyer në atdhe, sidoqoftë me detyrim paraqitje, pasi gjyqi në vendin helen u shty për ditën e martë, kur do të zhvillohet edhe seanca e parë, në lidhje me çështjen e ngritur ndaj tij.

Vetë kapiteni i “red devils” preferoi të mos përgjigjet të shtunën paradite, kur u pyet nga gazetarët në momentin e largimit të tij nga dyert e gjykatës, ku u dërgua i shoqëruar për të dhënë dëshminë e tij. 27-vjeçari nga Shefieldi qëndroi i heshtur dhe refuzoi për t’iu përgjigjur pyetjeve të bëra nga ana e gazetarëve të pranishëm. Qendërmbrojtësi shtatlartë preferoi në këtë mënyrë për të mos dhënë fare shpjegime, në lidhje me incidentin e ndodhur në një pub, në Ishullin Mykonos, ku pretendohet se ka patur një zënkë masive.

Harry Maguire u arrestua nga policia vendase pas një grindje që shpërtheu në orët e para të ditës së premte në atë lokal. Mediat lokale kanë raportuar një zënkë në ishull, ndërmjet dy grupeve. Grindjet gjatë mbrëmjeve festive në këtë ishull të Egjeut janë diçka krejtësisht e zakonshme, megjithatë këtë herë lajmi bëri bujë për shkak të përfshirjes në një zënkë të tillë të vetë kapitenit të United dhe mbrojtësit të përfaqësueses së “tre luanëve”.

Në Greqi mediat kanë raportuar një sherr pas mesnatës së të enjtes mes grupit ku bënte pjesë Maguire si dhe disa personave të tjerë, edhe ata me kombësi angleze. Në një komunikatë të Policisë Vendore konfirmohet fakti që forcat e ruajtjes së rendit kanë ndërhyrë për të qetësuar një përleshje dhe një zënkë masive ndërmjet dy grupeve të ndryshme, me pushues të huaj jashtë një bari, ndërsa më pas situata ka dalë jashtë kontrollit dhe punonjësit e policisë janë abuzuar.

Lajmet janë shumë kontradiktore dhe në Mbretërinë e Bashkuar burime të pakonfirmuara flasin gjithashtu edhe për një prerje të lehtë me thikë në krah të motrës së mbrojtësit. 27-vjeçari i priti me mospërfillje pyetjet e gazetarëve dhe nuk reagoi fare, në momentin e daljes nga Gjykata e Syros-it, megjithatë avokati që po e shoqëronte Constantine Darivas, kur u pyet nga Sky News nëse klienti i tij mund të konsiderohej si një njeri i lirë apo jo, u përgjigj shkurt ”tani po”.

Darivas dribloi në momentin kur u pyet nëse Maguire do të kthehej menjëherë në Mbretërinë e Bashkuar apo do të qëndronte akoma në ishull dhe avokati i mbrojtësit më të shtrenjtë në planet u fsheh pas frazës së zakonshme, “nuk kam koment”. Maguire është vënë re nga shumë dëshmitarë, duke pirë shumë orë përpara se të ndodhte incidenti në fjalë. Avokati rrëfeu se ishte i bindur që klienti i tij do të largohej pa telashe me drejtësinë nga ky incident, gjithsesi mbetet vërtet shumë e paqartë se çfarë ndodhi realisht brenda sallës së gjyqit.

“Çështja është në proces e sipër dhe duke u shqyrtuar” u mundua të qartësojë Darivas të premten në mbrëmje, por sidoqoftë askush nuk është i qartë as në lidhje me atë çfarë ka ndodhur në të vërtetë në pub. Prokuroria e Syros-it ka deklaruar se tre të huaj janë arrestuar pas një zënke me oficerët e policisë vendase. Avokati Darivas ka shfajësuar klientin e tij, duke shtuar se Maguire i ka mohuar që të gjitha pretendimet që janë ngritur kundër tij.

Mendohet se Maguire bashkë me dy miqtë e tij ka bërë rezistencë, madje në mënyrë të dhunshme, duke shtyrë, kundërshtuar apo dhe goditur tre oficerë të policisë, për më tepër nuk konfirmohet nëse bëhet fjalë për Maguire apo jo, por njëri prej tyre është munduar edhe të mbyllë gjithçka, duke i ofruar ryshfet policëve vendas, prandaj edhe mbetet ende shumë e paqartë nëse qendërmbrojtësi shtatlartë akuzohet thjesht për agresion apo ndaj tij rëndojnë edhe akuza të tjera.

Burime të pakonfirmuara në Mbretërinë e Bashkuar pretendojnë se në dosjen e veçantë që është përpiluar në lidhje me incidentin e ndodhur në Ishullin Mykonos ka akuza për dhunë dhe përdorim të forcës ndaj organeve të policisë, si dhe mosbindje, dëme fizike, ofendime, kërcënime, por gjithashtu edhe për përpjekje për të dhënë ryshfet ndaj forcave të ruajtjes së rendit.

Nga sa mësohet Harry Maguire ishte për pushime në Mykonos me partneren e tij dhe disa miq të tjerë. Drejtuesit e United kanë konfirmuar se janë në dijeni të asaj çfarë ka ndodhur dhe krerët e klubit janë munduar të qetësojnë fansat e shumtë, duke shpjeguar se kanë folur me kapitenin dhe Maguire është duke bashkëpunuar me autoritetet greke, për të qartësuar situatën.

Të dielën e kaluar 27-vjecari ishte në Gjermani, ku luajti si titullar në ndeshjen që “djajtë e kuq” humbën 2-1 me Sevillan, takim që i kushtoi edhe eliminimin nga Europa League “red devils” që në fazën gjysmëfinale. Harry Maguire u transferua nga Leicester City te Manchester United për shumën e 80 milionë stërlinave, shifër që e shndërroi natyrshëm lojtarin nga Shefieldi edhe në mbrojtësin më të shtrenjtë në rruzull.


Shtuar 22.08.2020 16:16