Drita shpallet kampion pas barazimit mes Gjilanit dhe Ballkanit

Drita është shpallur kampione e Superligës së Kosovës për sezonin 2019/2020, falë barazimit 2:2 mes Gjilanit dhe Ballkanit, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ‘Adem Ramadani’ të mërkurën pasdite.

Ballkani kishte një fillim dukshëm më të mirë se vendasit e Gjilanit, duke u paraqitur më të skuadër më e rrezikshme në fazën e sulmit, me disa raste të mira të krijuara.

Skuadra e Ismet Munishit, ka mundur shumë lehtë që të kalojë në epërsi në minutat e parë të ndeshjes, me Ermal Krasniqin dhe Blendi Baftiuan që kishte mundësi të mira shënimi, por ishte portieri Kenan Haxhihamza, që ua mohonte një gjë të tillë.

E gjithë pjesa e parë kaloi nën dominimin e Ballkanit, por golin e vetëm në këtë pjesë, e shënoi Gjilani.

Kushtrim Shabani në minutën e 43’, në rastin e parë të mirë për vendasit, shënoi për 1:0.

Edhe në fillim të pjesës së dytë, Ballkani ishte skuadër më kërkuese.

Ismet Munishi vendosi të bëjë disa zëvendësime, duke inkuadruar në lojë sulmuesin Mirlind Daku.

Pikërisht Mirlind Daku, ishte lojtari që barazoi rezultatin në 1:1, duke shënuar në minutën e 73’.

Nuk kaluan më shumë se dy minuta, dhe Ballkani përmbysi gjithçka, kur Jetmir Topalli shënoi një super gol me kokë.

Por, kjo nuk ishte e gjitha në këtë ndeshje, me Gjilanin që barazoi në kohën shtesë për 2:2, me golin e realizuar nga Keita Razak.

Ky barazim, i ka bërë nderë të madh skuadrës së Dritës, që fiton titullin e kampionit në Superligën e Kosovës, një xhiro para përfundimit të sezonit.


Shtuar 22.07.2020 17:08