Di Maria reagon pas nervozizmit të shfaqur nga Mbappe: S’je i vetmi që dëshiron të luajë

Angel Di Maria ka reaguar pas veprimit të shokut të tij të skuadrës pas zëvendësimit duke u shprehur se Mbappe duhet të mendojë më shumë për bashkëlojtarët.

Francezi u duk shumë i zemëruar kur u zëvendësua nga Mauro Icardi në minutën e 68-të ndeshjes gjatë fitores 5:0 në Parc des Princes. Ai pastaj u përfshi në një diskutim të nxehtë me trajnerin Thomas Tuchel, përderisa po dilte nga fusha.

Tuchel ka tentuar t’i heshtë spekulimet pas këtij incidenti, duke insistuar se Mbappe, i cili kërkohet nga Real Madridi, nuk është i zemëruar me klubin dhe nuk do ta përdorë këtë incident për të tentuar ta detyrojë largimin nga kampioni në fuqi i Francës.

Di Maria, i cili luajti për 90 minutat e plotë të ndeshjes, thotë se e kupton se Mbappe dëshiron të luajë sa më shumë që të jetë e mundur.

Megjithatë, ai e ka nxitur atë të mendojë edhe për lojtarët në stol, të cilët duan po aq shumë të luajnë edhe ata.

“Është shumë e vështirë. Askush nuk dëshiron të dalë nga loja, të gjithë duan të luajnë, kjo është normale. Kylian dëshironte të shënonte, por trajneri vendosi se ai duhet të dalë nga loja”, ka thënë Di Maria.

“Ka djem të tjerë në stol të cilët duan të hynë në lojë gjithashtu dhe e kanë aftësinë e kërkuar. Mbappe duhet ta kuptojë këtë”.


Shtuar 4.02.2020 07:30