Trajneri i Liverpoolit Jurgen Klopp, ka reaguar pas dënimit që UEFA i ka dhënë Manchester City-t. Gjermani ka thënë se ndjen keqardhje për trajnerin Pep Guardiola dhe lojtarët e “citizens”.
UEFA e pezulloi City’n nga pjesëmarrja në garat evropiane për dy vjet, për shkelje serioze të rregullave të fair-play’t financiar.
City planifikon të ankohet ndaj vendimit të UEFA-s dhe i ka 10 ditë kohë për ta çuar këtë çështje në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.
“U trondita kur e dëgjova lajmin. Mund ta parafytyroj sa e vështirë është për ta në këtë moment”, tha Klopp.
“Nuk ia kam idenë sesi funksionojnë këto gjëra – por çfarë mund të them unë është se nën udhëheqjen e Pep Guardiolës, Manchester City luan futboll sensacional. Gjithmonë e kam adhuruar futbollin e tyre”, shtoi gjermani.
“Të jem i sinqertë me ju, më vjen keq për Pep dhe lojtarët, sepse, natyrisht ata nuk kanë bërë asgjë të keqe. Ata thjesht kanë luajtur futboll dhe atë futboll sensacional. Pep i ka ndihmuar ligës ta përmirësojë futbollin”, theksoi Klopp.