Deklaratat e Pecoraros, Prokuroria italiane nis hetimet për Inter-Juventus

Pas deklaratave të djeshme të Giuseppe Pecoraros, ish shef i Disiplinës në Federatën Italiane të Futbollit, se ishte fshirë komunikimi audio mes arbitrit Orsato dhe sallës VAR, në ndeshjen Inter-Juventus të 2018-ës, kanë reaguar edhe organet kompetente në Itali.

Kështu sipas mediave në vendin fqinj, Prokuroria e Milanos dhe ajo e Romës kanë nisur një hetim për të parë nëse është e vërtetë ajo që Pecoraro ka deklaruar, pra fshirja e audios vetëm në momentin më të diskutuar të takimit.

Bëhet fjalë për një ndeshje shumë të rëndësishme për fatin e titullit kampion të sezonit 2017-2018, të cilën Juventusi e fitoi me rezultatin 2-3, duke luajtur me një lojtar më shumë për më tepër se 80 minuta lojë.

Megjithatë në fillim të pjesës së dytë Pjanic bëri një ndërhyrje të rëndë ndaj mesfushorit brazilian të Interit, Rafinha, ndërsa Orsato jo vetëm që nuk i dha karton të kuq, por as të verdhë, që do të ishte i dyti për boshnjakun.

Vetë Pecoraro deklaroi se kishte shkuar për të dëgjuar bisedën mes Orsatos dhe sallës VAR për atë episod, në mënyrë që të kuptonte pse arbitri kryesor nuk e nxori kartonin për Pjanic, por kishte vënë re se audio e atij momenti ishte fshirë dhe ishte e vetmja që mungonte.


Shtuar 4.05.2020 14:23