Frank Lampard ka fituar besimin drejtuesve të Chelsea të cilët janë gati ti vënë në dispozicion 150 milion paund për merkaton e verës.
Kur Lampard u emërua si trajner i Chelsea pas largimit të Sarrit nuk kishte mundësi të bëntë afrime, pasi Chelsea ishte i dënuar.
Në listën e dëshirave të tij janë Jadon Sancho i Borussia Dortmundit, sulmuesi i RB Leipzigut, Timo Werner, dhe “ylli” i Lyonit, Moussa Dembele.
Lampard u irritua në ditën e fundit të merkatos së janarit me drejtuesit e klubit, pasi këta të fundit nuk kishin arritur të gjenin një zëvendësues të denjë për Oliver Giroud, që kishte kërkuar me ngulm largimin.
Ai synonte një tjetër element cilësor për repartin e avancuar, në funksion të garës për vendin e katërt, pozicion që bluve të Londrës ua kërcënojnë Tottenhami, Sheffield Utd dhe Manchester United (pa anashkaluar edhe Wolves dhe Evertonin).
Dries Mertens i Napolit dhe Edinson Cavani i Paris Saint-Germain u konsideruan zgjidhje afatshkurtra, por asnjë prej tyre nuk u transferua në Londër në janar.
Tashmë sytë janë hedhur drejt zgjidhjeve të tjera, ku spikatin Dembele i Lyonit (lojtar që pëlqehet edhe nga klube të tjera të Premier League-s), apo Timo Werner i Leipzigut, që prej disa sezonesh po shkëlqen në Bundesligë.
Me 20 gola të kampionat këtë sezon, Werner është në radarin e të gjitha skuadrave kryesore në Evropë. Të hënën ai e pranoi se mbetet “i hapur” për një transferim në Angli.
Sancho është gjithashtu një kandidat serioz për Chelsea-n, por 19-vjeçari është një nga “yjet” më të kërkuar në Europë tani dhe Borussia do të synojë të paktën 100 milionë paund për kartonin e tij. Vlera e talentit anglez mund të ndryshojë në varësi të paraqitjes që ai të bëjë në Euro 2020.
