Barcelonës i mjafton një pjesë ndaj Villarrealit për të siguruar 3 pikët e para në La Liga (VIDEO)

Barcelona e udhëhequr nga Ronald Koeman ka treguar se problemet në klub nuk do të bartën në fushën e blertë.

‘Blaugranat’ kanë mposhtur Villarrealin me rezultatin 4:0, për t’i dhënë startin sezonit në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ansu Fati dhe Lionel Messi ishin dy lojtarët që kontribuuan më së shumti për këtë fitore.

Fati hapi serinë e golave në minutën e 15’, duke shfrytëzuar një asistim të Jordi Alba për të dërguar topin në rrjetë.

I njëjti gjeti golin edhe katër minuta më vonë, kësaj radhe duke u shërbyer nga braziliani Philippe Coutinho.

Minuta e 35’ tregoi një penallti për Barcën, penallti të cilën në gol e konvertoi lojtari më i mirë në botë, Lionel Messi.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, Messi doli edhe një herë në skenë, duke dërguar një top në zonë, top të cilin e dërgoi në portën e tij Pau Torres, për rezultatin final 4:0.

Barca dominoi edhe në pjesën e dytë, por nuk gjeti gola të tjerë.

Kështu, Barca në ndeshjen e parë të La Liga ka siguruar tri pikët e para, kurse Villarreal mbetet me katër pikë pas tri ndeshjeve.


Shtuar 27.09.2020 20:55