Barcelona ka vërejtje në përdorimin e sistemit VAR

Sistemi VAR nuk është duke u përdorur në mënyrë korrekte në La Liga, ka thënë trajneri i Barcelonës, Quique Setien të hënën, pas fitores kundërthënëse të Real Madridit të dielën ndaj Real Sociedadit.

Madridi fitoi 2:1 ndaj Sociedadit për të kaluar Barcelonën në krye të La Ligas. Skuadrës vendase iu anulua një gol për pozitë jashtë loje, pas konsultimit të sistemit VAR, kurse Karim Benzema ka shënuar golin e fitores pasi është dukur të ketë luajtur me dorë.

“Ka gjëra që ne nuk mund t’i kontrollojmë dhe që nuk varen nga ne. Të gjithë e panë çka ndodhi në Anoeta dhe të gjithë do të sjellin përfundime”, ka thënë Setien para ndeshjes të së martës ndaj Athletic Bilbaos.

“Është e kuptueshme që ne mendojmë se pse disa aksione rishikohen. Gjyqtari i rishikon ato dhe ata nuk bëjnë të njëjtën në lojëra tjera. Ata e bëjnë këtë në disa ndeshje e në disa të tjera jo. Kështu që ju vërtetë mund të mendoni se VAR nuk po përdoret në mënyrë korrekte”.

Setien ka thënë se kundërthëniet kanë qenë pjesë e futbollit.

“Ne jemi këtu për shumë vjet dhe kjo nuk ndryshon. Është gjithnjë e njëjtë, kundërthëniet do të jenë gjithnjë këtu”, ka shtuar ai. “VAR-i është mjet që mund të na bëj mirë, por ne duhet ta përdorim atë për të pasur pamje më të qartë të realitetit”.


Shtuar 22.06.2020 16:33