Atalanta nuk ka të ndalur, tjetër fitore me goleadë (VIDEO)

Tre ndeshje, tre fitore dhe 13 gola të shënuar. Atalanta mposht Cagliarin me rezultatin e thellë 5-2 dhe “fluturon” në krye të renditjes së kampionatit italian, duke konfirmuar se gëzon një formë spektakolare.

Zikaltrit e drejtuar nga Gian Piero Gasperini bënë gjithçka në mënyrë perfekte ndaj sardëve dhe zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë, duke arritur të shënojnë plot 4 herë në portën e Alessio Cragno.

Nga ana tjetër miqtë bënë shumë pak për të përballuar furinë zikaltër, ndonëse provuan të luajnë hapur dhe për një moment barazuan me anë të Diego Godin, që debutoi me gol në klubin e tij të ri.

Në pjesën e dytë Cagliari provoi të hyjë në lojë dhe shënoi me Joao Pedron, por më pas ishin Simeone e Sottil që shpërdoruan dy mundësi të mira për të rihapur ndeshjen.

Nga ana tjetër portieri Cragno bëri disa pritje spektakolare, por u dorëzua sërish në minutën e 88’, kur blerja më e re e Atalantës, holandezi Lammers ia dërgoi topin për herë të pestë në rrjetë dhe vulosi rezultatin final të sfidës.

Forma e mirë e shfaqur prej 3-4 sezonesh, ruajtja e grupit të futbollistëve dhe afrimi i emrave të tjerë cilësorë, por edhe rezultatet bindëse në fushë kanë bërë që Atalanta e këtij sezoni të shpresojë për diçka më tepër sesa vetëm një vend në zonën Champions.


Shtuar 4.10.2020 12:35