Jasir Asani u transferua këtë verë me opsionin e huazimit me të drejtë blerje për 400 mijë euro nga Partizani te skuadra e AIK në kampionatin suedez. Përshtypjet për sulmuesin janë nga më të mirat teksa 24-vjeçari ka gjetur edhe golin në një nga ndeshjet miqësore para se të nisë kampionati.
Ndërkohë, në një intervistë në Suedi, Asani thekson se do ishte i lumtur të transferohej te AIK-u përfundimisht, megjithatë gjërat duhen marrë shtruar në atë që ai e konsideron si klubin më të madh në Skandinavi.
Pse zgjodhët AIK? “Sepse kisha dëgjuar shumë gjëra të mira për AIK-un. Për mua është ndoshta klubi më i madh Skandinav dhe kështu dua të tregoj veten këtu, pasi mund të jetë një trampolinë e mirë për të ardhmen. Nëse bëj mirë këtu, atëherë mundësitë janë të mëdha”.
Qëllimi juaj është të transferoheni përfundimisht këtu në verë? “Sigurisht që do isha shumë i lumtur nëse do të transferohesha përfundimisht me AIk-un, por të shohim. Unë preferoj t’i marr gjërat shtruar. Objektivi im është të jap maksimumin për skuadrën, të shënoj shumë gola dhe të asistoj shumë. Ka zëra se ju jeni shumë i shpejtë. Sa i shpejtë është Asani? (Qesh) Këtë nuk e di, nuk e kemi matur”, u shpreh Asani.
Ndërkaq, menaxheri i klubit të AIK, Bjorn Uestrom, ka zbuluar se Asanin e ndiqnin dhe e mbanin nën vëzhgim prej një viti, por nuk bënë asnjë lëvizje transferimi pasi klubit i mungon të ardhurat financiare.