Telashe të mëdha kanë dalë në dritë për aksionerin e “Air Albania” dhe administratorin e Flamurtarit, Sinan Idrizin. Përpos problemeve me klubin vlonjat, që këtë sezon ka prekur fundin dhe është drejt rënies në Kategorinë e Parë, tashmë Idrizi duhet të përballet edhe me akuzat për mashtrim.
Sipas raportimeve nga media “Sabah” në Turqi, Adnan Polat, ish-drejtorin i Gallatasarait dhe kreu i Grupit Polat, ka ngritur akuza penale në zyrën e Prokurorisë së Stambollit. Biznesmeni turk pretendon se parteni i Air Albania, Sinan Idrizi, i ka kërkuar para në mënyrë që ta ndihmonte për blerjen e një kompanie nafte në Shqipëri.
Për shkak të aktivitetit që zhvillonte në Shqipëri, Adnan Polat njihej prej disa kohësh me drejtuesin e ekipit të Flamurtarit dhe ortakun e “Air Albania” Sinan Idrizi.
Gjatë kontakteve mes tyre, Idrizi i kishte thënë se kompania “Global Fluids International” siguronte fitime të mira në tregun shqiptar dhe nëse do te ta blinte mund të negocionte ai për të.
Sipas asaj që Polat ka shprehur në padi, Idrizi i ka thënë biznesmenit turk se kompania kushtonte 17 milion dollar, por duhej thënë paraprakisht një kapar prej 3.5 milion dollarësh. Nëse shitja nuk realizohej, Polatit do t’i ktheheshin mbrapsht 3.5 milion dollarët.
Në nëntor të vitit 2016, Adnan Polat përgatit dokumentacionin për blerjen e aksioneve të kompanisë në fjalë. Gjatë këtij operacioni, Idrizi ka telefonuar Adnan Polatin duke i thënë se kapari nuk do të kalohej përmes bankës, por do të jepej dorazi. Kështu, pasi ka firmosur marrëveshjen paraorake, Polat i ka kaluar paratë sipas asaj që kërkoi Idrizi.
Sipas lajmit të publikuar në gazetën “Sabah”, disa kohë më vonë, Idrizi e telefonon Adnan Polatin duke i thënë se në Shqipëri në vitin 2017 kishte zgjedhje dhe se operacioni i blerjes së kompanisë do të finalizohej pas zgjedhjeve. Sipas padisë, Polati e ka pranuar këtë shtyrje.
Pas zgjedhjeve, Polat kontakton sërish me Sinan Idrizin dhe e pyet për operacionin e blerjes së kompanisë, por ai i thotë se blerja finale nuk mund të ndodhë.
Kështu, Polat i ka kërkuar Idrizit anulimin e marrëveshjes paraprake dhe kthimit të kaparit prej 3.5 milion euro. Por, sipas Polatit, Idrizi ka gjetur një mori arsyetimesh për të mos ia kthyer mbrapsht paratë dhe i ndjerë i mashtruar, Adnan Polat i është drejtuar prokurorisë së Stambollit duke e paditur atë për mashtrim.
