Arritjet e Lionel Messit në futboll kanë qenë kaq të jashtëzakonshme, sa mund “t’i varë këpucët në gozhdë” qysh nesër dhe karriera e tij nuk e humbet shkëlqimin mahnitës.
Prandaj, çdo ndeshje dhe sezon shtesë, që mund ta shohim yllin argjentinas në fushë, shërben si “qershia mbi tortë” për të dhe vetë futbollin në përgjithësi, shkruan Telesport.al.
Ai është 32 vjeç dhe fitoi gjashtë herë “Top të Artë”, duke i “lënë targën” rivalit të vet më të madh, Cristiano Ronaldo, në këtë drejtim.
Shumë futbollistë kryesorë e gjejnë veten në “ngrirje” pas të 30-tave, por Messi ka shënuar 51 gola në vetëm 50 ndeshjet e fundit me kampionët e La Ligas, për ta kurorëzuar veten si golashënuesi më i mirë në futbollin europian.
Tani, Quique Setien, trajneri i ri i Barcelonës, do ta shijojë e përfitojë nga ylli argjentinas. Ndikimin e tij në skuadër e provoi që në debutim, teksa Messi shënoi golin e fitores ndaj Granadas.E thënë ndryshe, Messi ka shënuar tani saktësisht 500 herë në 500 ndeshjet e tij të fundit për katalanasit. Nëse kjo nuk është e kënaqshme për tifozët, nuk e dimë se çka tjetër nevojitet për këtë.
Leo, gjithashtu, e ka kapërcyer kuotën e 200 asistimeve gjatë të njëjtës periudhë kohore, ndërsa rekordi i tij prej 358 fitoresh, 89 barazimesh dhe 53 humbjesh është më i miri edhe për historinë e Barcelonës.Mesatarja e një goli në çdo ndeshje, në mbi 500 sfida në total, është thjesht tronditëse. Pra, Messi është një nga futbollistët shumë të paktë në histori, që mund ta kenë pasur këtë efikasitet shënimi.
Sidoqoftë, për fat të keq, nuk do të jenë edhe 500 ndeshje të tjera për Messin në “Camp Nou”, përveç nëse provon se është vërtet “jashtëtokësor”, vijon ta ruajë këtë lloj eliksiri rinor.Të gjithë dëshirojmë që Barcelona ta zgjasë kontratën e tij përtej “kufirit” aktual, vitit 2021, por do të ishte naive të injorojmë faktin se ditët e Messit futbollist po kalojnë gradualisht. Pra, le të shërbejë ky fakt, si arsyeja e 500-të për t’i qenë mirënjohës yllit argjentinas, i cili ka hyrë si askush tjetër në librat e historisë së këtij sporti.