SPAK dhe prokuroria e Korçës letërporosi në Greqi, kërkojnë ekstradimin e Laert Haxhiut dhe Berberit

Prokuroria e Korçës ka dorëzuar në Gjykatën e qytetit kërkesën për përcjelljen e letërporosisë, me qëllim ekstradimin në Shqipëri të Firdeus Berberit.

Ky i fundit qëndronte në Janinë dhe shoqërohej me Laert Haxhiun në momentim e arrestimit.

Firdeus Berberi ka një proces të hapur pranë gjykatës së Korçës, ku akuzohet për “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë ndaj Johan Muçllarit dhe “Mbajtje pa lejë të armëve të zjarrit”, “Prishje e qetësisë publike”.

Berberi është djali i Ilir Berberit ose siç njihet ndryshe në Pogradec me nofkën “Liri i Rushkës”, person ky me precedentë penalë i implikuar në ngjarjen e goditjes së hotel “Voloreka” në gushtin e vitit 2020.

Prokuroria e Korçës kërkon nga autoritet Helene, që Firdeus Berberi të transferohet drejt Shqipërisë, ku do i nënshtrohet procesit gjyqësor.

Të njëjtën kërkesë për ekstradim ka depozituar në gjykatë dhe prokuroria e Posaçme SPAK, e cila kërkon nga Drejtësia Greke të transferojë në Shqipëri, Laert Haxhiun, i dënuar me 18 vjet heqje lirie dhe hetuar në masën e sigurisë arrest në burg si i dyshuar në vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës.

Haxhiu u ndalua gjatë një ndjekje që i bëri policia e Janinës një automjeti tip “BMWx6”,duke arrestuar personin shumë të kërkuar që fshihej në Greqi me dokumente false, duke përdorur emrin Gjeorgjian, Mikis Askalidis.

Bashkë me Laert Haxhiun, është ndaluar dhe Firdeus Berberi dhe shoku i tij, Juxhin Bajrami. Firdeus Berberi aktualisht është marrë i pandehur për “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë dhe dy akuza të tjera.

Në dosje evidentohet se Berberi, ka qëlluar 4 herë me armë në drejtim të Johan Muçllari, duke i shkaktuar dëmtime në pjesën e këmbës. Në pamundësi për ta vrarë me pistoletë, teksa Johan Muçllari, ndodhej i shtrirë në rrugë, Firdeus Berberi, e ka sulmuar sërish, por këtë herë me thikë.

Në total prokuroria, ka marrë 7 të pandehur për ngjarjen e ndodhur në muajin Prill 2022, ku u sulmua me armë dhe thikë, Muçllari. Por çuditërisht, edhe pse një vit më parë ndodhi ngjarja e rëndë, asnjëri prej tyre nuk ndodhet në burg.

6 të pandehur janë hetuar dhe do gjykohen në gjendje të lirë. Kurse personi kryesor, Firdeus Berberi, është kapur së fundi në Janinë. Ndërsa për një person tjetër të quajtur Rudi Shaho, prokuroria ka vendosur të pushojë ndjekjen penale për akuzën e “Moskallëzimit të Krimit” dhe “Përkrahjes së autorëve të krimit”.

Ndërsa shoku i Firdeusit, Griseld Maxhari, rezulton të jetë marrë i pandehur për akuzën e “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, pasi teksa ndodhej në vendin e ngjarjes ka kryer fshehjen e provave materiale dhe ka “Përkrahur autorin e krimit”.

Prokuroria ka provuar se Maxhari ka mbledhur në vendngjarje gëzhojat e armës dhe është larguar.

Për përkrahjen e autorit të krimit, Firdeus Berberi, prokuroria e Pogradecit ka marrë të pandehur dhe shokët e tij si Fatjon Bono, Ledian Shkulaku, Kristian Kreste, Hekuran Gjona dhe Bledar Berberi.

Konflikti mes të rinjve e ka zanafillën qysh në vitin 2017, kur në Pogradec është sulmuar dhe kanosur me armë zjarri Johan Muçllari, nga Meardi Berberi (Korua), Andra Piliçin dhe Mariglen Topuzi.

Ndërsa ka vijuar më tej në djegien e makinës së Muçllarit, ngjarje kjo për të cilën është arrestuar dhe dënuar Mariglen Topuzi.

Ngjarjet kriminale u intensifikuan në muajin Gusht 2020, ku në datat 1 dhe 8 gusht është sulmuar me 85 plumba hoteli “Voloreka” në Drilon, që është në pronësi të Jetmir Muçllarit, babait të Johanit.


Shtuar 25.05.2023 16:01