Policia ka vënë në pranga një 60-vjeçar nga Lushnja, i cili po transportonte emigrantë të paligjshëm. Shërbimet e Policisë Rrugore i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin I. H., i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar.
Menjëherë shërbimet e Policisë Rrugore janë vënë në ndjekje të mjetit dhe në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, kanë kapur.
Njoftimi i policisë:
DVP Gjirokastër
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “ROAD GUARD 11”.
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Transportonte emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga drejtuesi i mjetit.
Sekuestrohen një automjet dhe një aparat celular.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 11”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. H., 60 vjeç, banues në Lushnjë.
Në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, në vendin e quajtur “Kordhocë”, shërbimet e Policisë Rrugore i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin I. H., i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar. Menjëherë shërbimet e Policisë Rrugore janë vënë në ndjekje të mjetit dhe në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, kanë kapur shtetasin I. H., i cili ishte duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe një aparat celular.
Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.