Shqipëria nën pushtetin e motit të keq, Peleshi: 270 hektarë të përmbytura në Shkodër, 1200 forca ushtarake në gadishmëri

Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë sjellë problematika në vendin tonë.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka dalë me një deklaratë lidhur me situatën e krijuar.

Ai bën me dije se problematikat e krijuara nga reshjet nuk janë shqetësuese, teksa thekson se po punohet në të gjitha akset ku ka pasur rrëshqitje dherash.

Peleshi tha se në Shkodër ka dalje të lumit të Bunës dhe janë përmbytur 270 hektarë tokë, ndërsa janë 1200 forca ushtarake në gadishmëri.

“Situata e shkaktuara nga reshjet ka paraqitur probleme nga veriu në jug, por jo të përmasave shqetësuese.

Sa i përket situatës në veri, ka pasur probleme në infrastrukturën rrugore, ku ka pasur rrëshqitje dherash. Në të gjthë akset ku ka pasur probleme po punohet.

Furnizimi me energjike ka pasur probleme për shkak të erërave të forta, por edhe për këtë po punohet.

Kuotat e lumenjëve deri në këto momente nuk paraqesin rrezik për përmbytje edhe pse ka pasur rritje të kuotave.

Në Shkodër, ka dalë lumi Buna duke përmbytur 270 hektarë tokë. Të merren masa, paralajmërim i popullatës, ku parashikohet rrezik, evakuim dhe stresim në raste nevoje.

Prioritet në këtë vit, por edhe në vazhdim duhet të jetë investimi në ujëmbledhësa.

Për menaxhimin e çdo lloj situate, janë në gadishmëri 1200 forca dhe 450 mjete, shërbimi zjarrëfikës ka 1203 forca dhe 159 mjete, 113 ambulanca dhe personel, policia 200 forca, struktura vullnetare 115 persona, si edhe mjetet ajrore 3 helikopterë”, tha ndër të tjera Peleshi./Albeu.com/


Shtuar 18.01.2023 15:20