Zv. ministri i Brendshëm jep lajmin e mirë për vrasjen mafioze të Kastriot Reçit me snajper

Zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari foli sot për paketën kundër krimit të organizuar, dhe vrasjet e bujshme të ndodhura në vend.

Lamallari tha se Policia e Shtetit ka avancuar në lidhje me kapacitet e saj për zbulueshmërinë e krimeve të rënda në vend.

Ai u shpreh në ABC se policia është afër zbardhjes së vrasjes së Kastriot Reçit, ngjarje e ndodhur në Rrëshen me snajper.

Pjesë nga biseda:

Besfort Lamallari: Ajo që është e rëndësishme është që vërtetë duhet të kemi vëmendjen ndaj vendimeve përfundimtare nga gjykata. Ka shumë për të bërë, si në aspektin e vendimeve që kanë të bëjnë me persona të rrezikshëm të cilët, jo vetëm për rastet që duket sikur janë të lehta, që persona të arrestuar në flagrancë dhe të përfshirë në veprimtari të organizuar kriminale. Kemi parë që persona të dënuar me burg përjetë kanë dalë nga burgu në mënyrë absurde. Kjo e bën më të domosdoshme avancimin e qeverisë shqiptare për të reaguar ndaj një situate të tillë, e cila vjen edhe si një përgjigje e këtyre fenomeneve për të parandaluar situata të tilla.

Juli Xhokaxhi: A po punohet për një strategji ndryshe për parandalimin e krimit nga policia shqiptare ? A duhet të kalojmë në një stad tjetër?

Besfort Lamallari: Sigurisht, ajo çfarë ne i mëshojmë fort është lufta kundër krimit të organizuar. Ka një program të mirëmenduar të Ministrisë së brendshme e adresuar në aspektin e inteligjencës dhe analizës kriminale.

Juli Xhokaxhi: Kemi një fillim të 2020 me bilanc lufte për shkak të vrasjeve dhe aksidenteve. Rasti i Rrëshenit është një nga rastet e rënda, të lë shijen e një vrasjeje mafioze, çfarë ndodh në këto lloj rastesh? Si punohet?

Besfort Lamallari: Kapacitetet e policisë shqiptare janë shumë më të larta në krahasim me ato në të shkuarën. Mekanizmat për hetimin dhe zbulimin e ngjarjeve të caktuar sot gjithmonë e më tepër policia përdor hetime me metoda të ndryshme speciale. Metodat janë tepër të sofistikuara në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtarë, mjafton të përmend faktin se në shumë prej vrasjeve janë përdorur teknika tepër të avancuara duke filluar nga gjurmët e gishtave, analizat e ADN të cilat orientojnë drejt zbardhjes së autorëve.

Besfort Lamallari: Për rastin konkret, nga raportimi i policisë së shtetit, jam besimplotë se oficerët që merren me këtë çështje por edhe me të tjera në një kohë të shkurtër do të zbardhin çështjen. /abcneës


Shtuar 16.01.2020 15:45