Zbulohet e shkuara kriminale e Ilir Xhepajt, 33 vjeçari mori pjesë në atentatin në Kurbin

Ilir Xhepaj është shpallur bashkëautor në ekzekutimin e dy biznesmenëve, Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit ngjarje e ndodhur më 30 maj 2020 në Laç.

Mësohet se Ilir Xhepaj ishte fshehur në një apartament në këtë zonë ndërsa është bërë i arrestuari i dytë për vrasjen në Laç të dy biznesmenëve.

Ai u arrestua në orët e vona të natës së kaluar në zonën e Astirit në Tiranë dhe u shoqëruar në Kurbin për llogari të Policisë së Laçit.

33 vjeçari njihet si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe akuzohet gjithashtu edhe për një plagosje tjetër me armë zjarri po në Laç, ngjarje e ndodhur më 15 maj ku mbeti i plagosur shtetasi me iniciale Z. M.

Ndërkohë në kërkim vijojnë që të jenë Elson Aliaj dhe Klaudio Perkola të dyshuar si bashkëpunëtorë të Eduart Lamaj në vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit.

Kush është Ilir Xhepaj?

Ilir Xhepaj është një emër i njohur për drejtësinë. Më 15 maj 2020, ai plagosi biznesmenin Zef Marku në Laç, pas një konflikti mes tyre. Policia njoftoi se e kishte shpallur në kërkim, por tanimë mësohet se i shpalluri në kërkim është një nga të rinjtë problematikë të këtij qytetit.

I dënuar më herët për grabitje me armë në vitin 2012 në Kurbin, e po ashtu për një plagosje në Fushë-Krujë, Xhepaj, konsiderohet si një emër i rrezikshëm në këtë zonë. Ai është liruar prej 3 muajsh nga burgu, dhe që nga ajo kohë ka jetuar në kryeqytet.

Kujtojmë se Eduart Lamaj, i cili është arrestuar si autor i dyshuar për vrasjen e dy biznesmenëve në 30 Maj në Laç, ka deklaruar se një prej víktimave i kishte para borxh, dhe ai i kishte shkuar me qëllim për ti shkatërruar hotelin dhe jo për ta vrarë. Por sipas Policisë dhe prokurorisë ky version i Lamës nuk qëndron.

Lama u vu në pranga teksa ishte duke u mjekuar në një klinikë private në Tiranë që mendohet të jetë e një të afërmi të tij, Besim Lama, për shkak se mbeti i plagosur në këmbë në ditën kur ndodhi atentati ndaj biznesmenëve. Bashkë me të u vunë në pranga dhe mjekët që e kanë ndihmuar, Besim Lama dhe Viktor Marku.


Shtuar 28.06.2020 14:21