Ministria e Financave ka lajmëruar heqjen e gjobave për mospagimin e kësteve paraprake të Tatimit mbi Fitimin për 3-mujorin e parë të vitit 2020. Në njoftimin e ministrisë thuhet se edhe ata persona ose biznese të cilat janë gjobitur për mospagimin e kësteve do tu anullohet gjoba.
Vlera e paguar si gjobë do të mund të përdoret për pagesën e kësteve në muajt në vazhdim. Ky veprim ndërmerret nga ana e ministrisë në kuadër të planit për të mbështetur biznesin në tejkalimin e situstës së vështirë ekonomike që po kalon gjatë pandemisë.
njoftimi i plotë: Hiqen gjobat për mospagim të kësteve paraprake të Tatimit mbi Fitimin për shkak të pandemisë COVID – 19. Njoftojmë të gjithë sipërmarrësit dhe bizneset në vend, se në kuadër të masave të marra nga Qeveria Shqiptare për lehtësimin e veprimtarisë ekonomike:
Anulohen gjobat e vendosura për shkak të mospagimit në afat të kësteve paraprake të Tatimit mbi Fitimin për 3-mujorin e parë të vitit 2020, të reflektuara në periudhën e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Të gjitha subjektet që kanë marrë një penalitet për shkak të mospagimit në afat të kësteve të Tatimit mbi Fitimin dhe e kanë paguar atë, do të mund të përdorin këtë shumë për detyrime tatimore të mëvonshme.
Administrata Tatimore do të vijojë njoftimet përmes llogarive të deklarimit elektronik e-Filing. Strukturat e apelimit pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të trajtojnë me prioritet penalitetet për deklarim dhe pagesë me vonesë të detyrimeve të tjera tatimore.
MFE mbetet e angazhuar për të mbështetur biznesin në tejkalimin sa më të shpejtë të kësaj periudhë të vështirë pandemie me qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë.