Zbardhet motivi që u mori jetën vëllezërve Haxhia dhe Dorjan Shkozës, e Anxhelo Avdiaj. Sipas grupit hetimor, shkak është bërë mosdhënia e pagesës për automjetet e vjedhura nga autorët e ngjarjeve, Klevis Alla dhe Altin Ndoci.vrasja durres
Këta dy të fundit, në bashkëpunim me persona të tjerë të identifikuar dhe të shpallur tashmë në kërkim nga Policia, ushtronin aktivitetin në vjedhjen e automjeteve, të cilave më pas u modifikonin numrin e shasisë te servisi i Besmir Haxhiasit dhe më pas u ndryshonin ngjyrën në servisin e Dorjan Shkozës.
Më pas, këto makina u jepeshin personave të ndryshëm që kishin interes me qira. Mirëpo, diçka ka shkuar keq në bashkëpunimin mes hajdutëve dhe pronarëve të këtyre servileve, që prishi marrëveshjen mes tyre.
Nga bashkëpunëtorë, në konflikt të acaruar që shkoi deri në përdorimin e armëve, ku për pasojë fillimisht u vranë Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdiaj, ngjarje e ndodhur më 2 mars, ndërsa më 27 prill u vranë vëllezërit Haxhia.
BASHKËPUNIMI
Hetimet e kryera për zbardhjen e dy atentateve ku humbën jetën katër persona, Besmir dhe Viktor Haxhia si dhe Dorjan Shkoza e Anxhelo Avdia, kanë marrë një trajektore të çuditshme. Sipas dëshmisë së bashkëpunëtorit të Policisë, Klevis Alla, njëherësh një prej dy autorëve të akuzuar për vrasjet, shkak është bërë mosdhënia e parave për makinat e vjedhura nga ai dhe bashkëpunëtori i tij, Altin Ndoci.
“Jemi një grup që merremi me vjedhje makinash. Makinat i vidhnim e i çonim te servisi i Besmirit dhe pasi u ndryshonim numrin e shasisë, i dërgonim te servisi i Dorjan Shkozës, i cili merrej me lyerje duke u ndërruar ngjyrën makinave. Nga aty, një pjesë e makinave dilte për t’u shitur, ndërsa një pjesë i jepte Besmiri me qira, pra i punonte.
Ky bashkëpunim ka zgjatur për disa kohë, deri në momentin që ne dorëzonim makinat e vjedhura, por Besmiri dhe Dorjani nuk na dhanë lekët”, thuhet në një pjesë të dëshmisë së të penduarit Klevis Alla, autor i vrasjeve të ndodhura më dy mars dhe 27 prill të këtij viti.
KONFLIKTI
Bashkëpunimit mes hajdutëve (tashmë autorë krimi) dhe viktimave i erdhi fundi në muajin shkurt, kur edhe Alla e Ndoci nuk po merrnin pagesat e makinave që u kishin shitur Besmir Haxhiasit dhe Dorjan Shkozës.
“Kemi kryer mbi 14 vjedhje makinash të ndryshme, nuk është se vidhnim makina të reja, pasi ato gjurmohen nga pajisjet që kanë të instaluara. Ndaj vidhnim makina kryesisht 10-12- vjeçare, të cilave nuk u kushtohej shumë vëmendje. Nuk kishim punë me Viktorin, atë e vramë për të mos lënë dëshmitarë, pasi objektivi ishte Besmiri. Ai nuk na kishte dhënë paratë për makinat që kishim vjedhur.
I kishim thënë disa herë se duhet të na jepte paratë, por si ai dhe Dorjan Shkoza refuzuan të na paguanin. Disa herë ishim përplasur verbalisht, kush je ti kush jeni juve. Kështu që, në dy mars shkuam te servisi i Dorjanit në Nishtulla dhe i kërkuam paratë.
Ai në tha se nuk donte të paguante, aty i qëlluam atij dhe Anxhelo Avdiajt që ndodhej me të. Edhe Besmirit i kërkuam disa herë të na paguante, edhe atë ditë e thirrëm që të na jepte paratë. I qëlluam se na dolën nga fjala se nuk na dhanë atë që na takonte neve”, ka deklaruar ndër të tjera Klevis Alla, i arrestuar së bashku me Altin Ndocin për vrasjen e vëllezërve Haxhia dhe Dorjan Shkozës e Anxhelo Avdiaj.
Klevis Alla është bashkëpunëtor i Policisë dhe grupi i hetimit po e shfrytëzon për të zbardhur ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në Durrës, Tiranë, Krujë e Elbasan. Ndërkohë, kujtojmë që Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdiaj u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi në zonën e Nishtullës, teksa qëndronin në trotuar duke pirë cigare.
Fillimisht, shkak për vrasjen e tyre u tha se ishte prishja e pazareve të drogës, për shkak edhe të kaluarës së viktimave. Nuk vonoi shumë, dy muaj më pas Durrësi tronditet nga një tjetër vrasje e dyfishtë.
Këtë herë, dy vëllezër mbetën viktima. Besmir dhe Viktor Haxhia u qëlluan me kallashnikov, teksa po udhëtonin me makinën e tyre në drejtim të zonës së Nishtullës. Autorë për vrasjen e këtyre katër të rinjve dyshohet se janë Altin Ndoci dhe Klevis Alla, tashmë të vënë në pranga. /Panorama