Zaptohet prona në mënyrë të padrejtë, HEC-i ndërtohet me dokumenta false

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal më ndërtimin e një HEC-i, i cili zaptoi në mënyrë të padrejtë pronat e disa individëve. Dhe, për më tepër, pronat e qytetarëve që nuk ishin pjesë e projektit i vendosi kolateral duke marrë një kredi 3 milionë euro në një bankë të nivelit të dytë.

Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua z.Kosta Kaishi, i cili tha se ka një pronë në afërsi të kryqëzimit të Kranesë, në Sarandë.

“Pronën e kam blerë nga komiteti i Delvinës, tani e shfrytëzon centrali i Bistricës, e kanë mbuluar me gjëra të tjera. Është me të gjitha vendimet, me kontratat me të gjitha, e hipotekuar. Në këtë vend filloi ndërtimi i HEC në 2014. Erdha këtu me dokumente, po këta e kishin zënë” thotë z.Kaishi, i cili shton se kur përfundoi ndërtimi shkoi në zonë dhe i thanë të rifreskojë kartelën e pasurisë.

“Ndërkohë e thurën menjëherë. Vajta në hipotekë më thanë se është bërë mbivendosje. Mbivendosjen e ka bërë Hipoteka. Nuk e di si e kanë bërë, më thanë se kanë gabuar. Më thanë se është gabimi jonë dhe do e rregullojmë ne. Piketa ime është këtu, këtu nuk ka asnjë gjë, kurse Bistrica 3 është 200 metra më tutje. Këtu te unë nuk është ndërtuar asnjë gjë, ku është bërë mbivendosja. Lumi është 300 metra më tutje. Me letrat e hipotekës rezulton se mbi pronën time është ndërtuar godina e HEC, por në realitet është bosh. Sot, s’kam pronë.” thotë ai.

Sipas një dokumenti, i datës 3 prill 2018, Hipoteka e Sarandës i ka dërguar një shkresë Bistrica 3, ku ndër të tjera i thotë se “ky objekt është pasqyruar gabim në kartelën e pasurisë”. Ndërkohë, po në këtë dokument, hipoteka e Sarandës pretendon se do të vijojë me korrigjimin e objektit në kartelë. Hipoteka megjithëse e pranon vetë se ka bërë një gabim, në vendosjen e HEC Bistrica 3, ende nuk e ka rregulluar këtë gabim! Ndërtimi i HEC Bistrica 3 ka sjell që prona e z.Kosta Kaishi dhe prona e HEC-it të mbivendosen. Ndërkohë që z.Kaishi pretendon se prona e tij është e lirë dhe ndodhet 300 metra më larg, ndërkohë që Hipoteka nuk ia rregullon gabimin e bërë.

Fiks fare u interesua edhe në Kadastrën Sarandë. Hartografja tha se z.Kaishi e ka regjistruar pronën në hipotekë, por aktualisht i mbivendoset me një vepër që është ndërtuar HEC Bistrica 3. Gazetarët e pyetën se shkresa e ish hipotekës e pranon gabimin, ndërkohë që punonjësja thotë se është pasqyruar ndërtesa gabim. “Është pasqyryar ndërtesa e makinerive gabim. Është pasqyryar te pasuria 58/6, ndërkohë që duhej të pasqyrohej te pasura 68/5.

Dhe duke qenë se mbi pasurinë janë vendosur masa kufizimi, sepse mbi të është lidhur një kontratë koncesionare, kemi kërkuar pëlqimin e bankës për të kryer procesin e përmirësimit. Nuk kemi bërë rregullimin sepse s’kemi marrë aprovimin nga banka. Pasuritë janë të bllokuara në bankë dhe duhet pëlqimi i tyre për të kryer procesin e përmirësimit të të dhënave. Kemi pasur letërkëmbime me bankën, disa me bankën, dhe janë pa përgjigje.

Me shprehjen e pëlqimit të palëve, do të bëhet korrigjimi” thotë ajo. Pra, megjithëse u faktua në Hipotekë që kjo pasuri nuk i takon koncesionarit por personave të tjerë, çuditërisht i gjithë trualli është rrethuar.

HEC Bistrica 3, këtë truall e ka vendosur kolateral në një bankë në qytetin e Sarandës. Pikërisht me këtë kolateral, por edhe me prona të tjera, HEC-i ka marrë një kredi në bankë.

“Banka ka lidhje se këta e kanë vënë në kolateral, që ata morën 3 milionë euro nga vendi im. Atë kishin përfitim ata, ashtu kanë bërë. Mbi pronën time s’ka asnjë gjë, po ata e kanë bërë vetë që të fitojnë 3 milionë euro” thotë z.Kaishi.

Fiks fare pyeti në bankën e nivelit të dytë, ku drejtoresha e filialit tha se “ne kemi nevojë për ta studiuar me topograf dhe inxhinierë jashtë hipotekës. Në dijeninë time janë duke u bërë raportet për këtë punë dhe kur të shikohet se çfarë ka ndodhur realisht do të kthehet përgjigje, sepse nuk mund t’u themi ok vazhdoni, pa u siguruar vetë që është kështu apo ashtu”.

Për të njëjtën problematikë ka edhe një dokument të Bashkisë Finiq, ku në dokumentin e datës 11 korrik 2018 thuhet se “organet e bashkisë Finiq kanë konstatuar se HEC Bistrica 3, ka bërë rrethime pa miratime nga bashkia Finiq”. Këtë fakt e konfirmoi edhe drejtori i Planifikimit të Territorit në Bashkinë Finiq. “Ata kanë marrë një pasuri, por nuk konvergjon me atë faktin që kanë ata tani. Zoti Kosta Kaishi dihet se ku e ka. HEC ka 5 mijë metra. Faktikisht kanë rrethuar 18 mijë metra në mënyrë të jashtëligjshme. Rrethimi duhet të marrë leje nga unë. Askush s’ka të drejtë të bëjë çfarëdolloj rrethimi. Është bërë në mënyrë arbitrare, në mënyrë të njëanshme” thotë ai.

Disa muaj pasi u interesuam në Bashkinë Finiq, kjo e fundit ka lëshuar një dokument, i datës 21 maj 2020 me lëndë “lajmërim për lirim trualli të rrethuar në mënyrë të paligjshme”, i është drejtuar pikërisht HEC Bistrica 3, Energy. Bashkia Finiq citon se “HEC Bistrica ka rrethuar 2 prona private, pra të z.Themistokli Kaishi dhe të z.Kosta Kaishi”. Në të gjitha dokumentet e bashkisë Finiq, por edhe në dokumentet e pronësisë, ky truall i përket dy shtetasve dhe bashkisë Finiq.

Gazetarët e Fiks Fare biseduan edhe me kryeinspektoren e IMT të Bashkisë Finiq, e cila pohoi se vendimi do të zbatohet shumë shoejt, në momentin që do të emërohen edhe dy inspektorë të tjerë.

“Atë rrethim ata e kanë bërë në pronën që i përket dikujt tjetër. Nuk më intereson edhe kjo pjesë, atë ta zgjidhin midis tyre, për mua si inspektoriat është ndërtim i jashtëligjshëm në çfarëdolloj kohe dhe ai rrethim do prishet” tha ajo.

Emisioni Fiks Fare iu drejtua edhe kompanisë Bistrica 3 për të marrë një informacion për pronën e zaptuar. Ne e pyetëm se përse është zaptuar kjo pronë, e Bashkisë Finiq dhe e dy shtetasve. Gjithashtu e pyetëm se përse kjo pronë është vënë kolateral në bankë. Por, ndryshe nga pyetjet që ne i drejtuam kësaj kompanie, kjo e fundit na ka kthyer përgjigje se çështja ndodhet në prokurori.

Në të gjithë këtë histori, prokuroria nuk ka asnjë ldhje me pronën në fjalë. /tch


Shtuar 22.06.2020 19:47