Xhensila Myrtezaj flet për njohjen me Besin: A ishte dashuri me shikim të parë?

A ishte dashuri me shikim të parë ajo e Xhensilës me Besin? Me të parë jo por, “dashuri me shikim të tretë, të katërt”. Kështu u shpreh sot Xhensila Myrtezaj në një intervistë me Alaudin Hamitin. Ajo la të kuptohej se durimi i Besit dhe zgjuarsia e tij solli atë që sot Xhensila është bashkëshortja e aktorit të njohur të humorit.

“Ai u tregua i zgjuar se e pa që në kokën time ishte dicka tjetër që kishte lidhje me muzikën, shkollën dhe nuk isha e hapur të pranoja një gjë të re në jetën time dhe Besi u afrua si shok dhe avash avash i la vend vetes për të qenë bashkëshorti im”, u shpreh Xhensila.

Po si e bëri për vete Besi? “Besi përveç sensit të humorit ka një sens të jashtëzakonshëm humanitar”, tha këngëtarja duke theksuar dy cilësitë më të pëlqyera te bashkëshorti i saj. E pyetur se sa kohë ka zgjatur nga njohja deri te lidhja, këngëtarja tha se ca gjëra nuk thuhen se jua ka paraqitur ndryshe familjarëve.

“Pak muaj pasi u bëmë shok u lidhëm. Mami ishte pro që ta kisha shok Besin se e shikonte që ishte i mirë”. Pasi u bënë me vajzën jeta e tyre ndryshoi dhe Xhensila me Besin i kanë vënë vetes një qëllim, të rritin një vajzë të mirë:

“Po mundohemi ta rritim Ajkën me shumë thjeshtësi e mos të paragjykojë, qoftë ai i bardhë qoftë ai i zi, qoftë ai i pasur apo i varfër. Mundohemi ta bëjmë që të jetë një njeri i mirë dhe s’ka sesi të mos jetë e suksesshme”.

Për planet për një fëmijë të dytë Xhensila shprehu dëshirën për një motër për Ajkën: “Uroj që kur të vijë i dyti të jetë i qetë. Unë do të doja e dyta. Tani është shumë shpejt do presim të rritet vajza pak, deri sa t’i shpëtojmë pyetjes mami dua motër ose vëlla, do jemi të lirë. Unë e kam dashur shumë familjen e madhe. Dëshira është e madhe që të kem më shumë sesa dy fëmijë”.

Xhensila tregoi edhe propozimin për martesë në Kankun që i bëri Besi që i shkoi huq. Kjo pasi një natë para propozimit, Xhensila pa një çift që po festonte celebrimin dhe Besi kishte planifikuar të bënte të njëjtën gjë një ditë më pas. Kështu që momenti i propozimit nuk ishte fare një surprizë.


Shtuar 28.09.2020 21:49