Vrau 60 vjeçarin për një copë tokë, si ndodhi ngjarja e rëndë në Gjirokastër

Mbrëmjen e djeshme, një ngjarje e rëndë ndodhi në Gjirokastër ku mbeti i vdekur një person.

Ngjarja u regjistrua në fshatin Labovë Zhapës, në Gjirokastër dhe viktimë mbeti Andrea Xhavara, ndërsa autor i dyshuar për ngjarjen e rëndë është Jano Koleta.

Menjëherë për këtë ngjarje është lajmëruar edhe Policia, e cila ka mbërritur në vendin ku ka ndodhur krimi.

NGJARJA

Burime nga uniformat blu bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur pas konflikteve verbale për tokat në fshat. 60-vjeçari dyshohet të jetë goditur më një mjet pune, sëpatë ose lopatë, por ende nuk është bërë i ditur zyrtarit ky fakt.

Për këtë, blutë e Gjirokastrës kanë nisur hetimet dhe kanë shoqëruar në komisariat të afërm të viktimës dhe të autorit të dyshuar. Konflikti, që mendohet të jetë i vjetër, mësohet se ka degjeneruar në grindje të ashpra mbrëmjen e djeshme, duke përfunduar me vrasjen e 60-vjeçarit.

Policia e Gjirokastrës ka shkuar në vendngjarje ku po kryen veprimet hetimore dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë, ndërsa autori është arrestuar në banesë.

Sakaq, burimet nga Policia theksuan se autori ka tentuar t’i jepte ndihmën e parë viktimës në vendin e ngjarjes, por ka qenë e pamundur. 60-vjeçari ka humbur jetën në vend, ndërsa transporti i tij në spital ka qenë pa rezultat.

Pas ngjarjes, Policia ka ushtruar kontroll në fshat, ndërsa autori është gjetur në banesën e tij. Ai dyshohet se ka qenë duke pritur uniformat blu, ndërsa nuk i ka kundërshtuar ata gjatë shoqërimit në polici.

Ai mësohet se ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, për gjithë atë çfarë kishte ndodhur. Lidhur me këtë ngjarje, policia ka shoqëruar në polici edhe familjarët e autorit dhe viktimës.

Këta të fundit kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me konfliktin e dy shtetasve, çka degradoi më pas duke shkaktuar një viktimë. Ata janë shprehur se konflikti ka ndodhur pas disa problemesh që kishin me tokat, të cilat ishin afër me njëra-tjetrën.


Shtuar 18.06.2020 06:41