Voltani Ademi bisedë telefonike me Manastirliun: Ja çfarë i kërkova ministres

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në kuadër të bashkëpunimit për përballimin e situatës së shkaktuar nga pandemia COVID – 19.

Ademi thotë se i ka përcjellë ministres problematikat që shqetësojnë qytetarët e Shkodrës, ndërsa i ka kërkuar asaj informacion mbi telefonatat që kanë mbërritur nga Shkodra në numrin 127 dhe numrin e testeve.

Voltana Ademi: Duke vlerësuar të domosdoshme marrjen e masave për përballimin e pasojave të pandemisë, transparenca dhe ndarja e informacionit me qytetarët është e rëndësishme.

I kam kërkuar Znj. Ministre informacionin mbi:

• Numrin e personave që kanë telefonuar Urgjencën Kombëtare në numrin 127 që nga data 1 janar 2020, banues në Bashkinë Shkodër;

• Numrin e personave që kanë telefonuar numrin 127, dhe që janë orientuar të qëndrojnë në shtëpi, me shenja të dyshuara të pandemisë;

• Numrin e personave që kanë telefonuar numrin 127, dhe që janë orientuar sipas protokollit shëndetësor për analiza paraprake pas shqetësime që kanë patur, si të dyshuar me COVID-19:

a) Drejt Spitalit Rajonal në Shkodër

b) Drejt Spitalit Infektiv në Tiranë

• Numrin e personave që kanë telefonuar numrin 127, që kanë kryer testimin e plotë për COVID – 19, në territorin e Bashkisë Shkodër;

• Numrin e testeve në dispozicion të autoriteteve shëndetësore të Bashkisë Shkodër në datën 6 Prill, për rastet e dyshuara me COVID – 19;

• Numrin e testeve që priten të vijnë pranë autoriteteve shëndetësore në Shkodër, në ditët në vijim, për realizimin e testimit të personave që dyshohen të jenë prekur nga COVID – 19;


Shtuar 7.04.2020 15:45